Dy realitete të ndryshme/ Leksionet që na jep Mali i Zi për sigurinë e jetës në plazhe (VIDEO)

440
0

Ditën e djeshme pak pas mesdite, në gjirin e Potamit vetëm 2 km larg qendrës së Himarës, familjes Avdia i ndodhi ajo që kurrë nuk e kishte menduar.

Të nisur nga Britania për të kaluar pushimet në detin Jon, familja me origjinë tropojane humbi tragjikisht vajzën e vogël 7-vjeçare, Jonada.

Në breg të detit, para syve të prindërve të saj, 7-vjeçarja u përplas nga një skaf gati 7 metra i gjatë me dy motorë.

Britmat, ulërimat e ofendimet që pasuan momentin tragjik shkaktuan një kaos në plazhin e Potamit, vend i cili frekuentohet zakonisht nga familjarë.


Autori i ngjarjes, Arjan Tase, një ish-shef komisariati i dënuar para 2 vitesh, aktualisht mbante pozicionin efektiv policie. Në një tymnajë informacionesh të tipit: bënte manovra në det, skafi nuk punonte mirë, kishte apo jo patentë, ishte skafi pronë e tij apo e një lavazhieri, ende nuk është hedhur dritë totalisht mbi faktin se si ndodhi realisht ngjarja.

Por një gjë është e sigurtë: dëshira për t’u dukur, mungesa e sinjalistikës, mosndëshkimi nga ligji i personave që u mungon e drejta për t’i dhënë këtyre mjeteve, sollën të tilla pasoja.

Ky nuk është incidenti i vetëm këtë sezon veror. Rreth 1 muaj më parë, një gomone përplasi një çift pushuesish në Jalë.

Një 37-vjeçar humbi kontrollin e mjetit me të cilin po shëtiste në breg dhe për pasojë i shkoi 2 të rinjve në çadër. Shkak i incidentit ishte manovra e gabuar që drejtuesi i mjetit bëri. Pas disa ditësh në gjendje të rëndë, djali 31-vjeçar ia doli të mbijetonte.

Mesa duket ngjarje të tilla nuk janë edhe aq të rënda apo impaktuese për disa, pasi nuk vonoi shumë dhe në rrjete sociale vërshuan video me të rinj që ecnin me shpejtësi me jetski edhe pse fare pranë tyre kishte njerëz që laheshin.

Çfarë ndodh në vendin tonë fqinj?

Por diku 200 km në vijë ajrore, në vendin tonë fqinj Mali i Zi, në plazhet e Budvas duket një realitet krejt tjetër nga ky i yni.

Çdokush e çdo gjë duket në vendin e vet, pa cënuar në asnjë moment hapësirën e tjetrit. Nga pamjet e siguruara nga Gazeta Shqip, plazhi është i pajisur me të gjithë sinjalistikën e nevojshme.

Pjesa ku plazhistët notojnë është dukshëm e ndarë me litar nga pjesa se ku qarkullojnë skafet, gomonet, varkat apo dhe jahtet. Ajo që bie në sy është edhe fakti se të gjitha gomonet apo varkat që përdoren për të transportuar njerëzit nga një plazh në një plazh tjetër, fikin motorët sapo kalojnë kufirin e ndarjes dhe përdorin lopatat për të lëvizur. Kështu jeta e pushuesve nuk është në rrezik as nga ndonjë manovër e gabuar e as nga një defekt i papritur i motorëve të mjeteve.