DW: Gjermania nevojë urgjente për punëtor, mundësi e mirë për shqiptarët

783
0

Shumë sipërmarrje në Gjermani kërkojnë me urgjencë punonjës të kualifikuar. Qytetarët nga vendet jashtë BE do ta kenë më të lehtë të jetojnë dhe punojnë në këtë vend në të ardhmen. Parashikohen lehtësime nga viti 2023.

Qeveria gjermane do ta hapë më shumë tregun e punës për fuqinë e kualifikuar punëtore nga shtetet jashtë BE. Këtë e parashikon drafti për reformimin e ligjit të migracionit që do të miratohet në vitin 2023. Parashikohet ndër të tjera të jepet një “kartë e shanseve” mbi bazën e një sistemi pikësh për kërkim të punës në Gjermani. Tek kriteret për kartën e shanseve do të hyjnë kualifikimi, njohuritë gjuhësore, përvoja e punës dhe lidhja me Gjermaninë. Po ashtu thuhet se do të dotë krijohet mundësia e një punësimi dyjavor për ata që kanë “potencial të mirë”.

Mungesë e madhe e fuqisë së kualifikuar punëtore

“Gjermania ka nevojë për forca të kualifikuara për të qenë e suksesshme nga ana ekonomike”, sipas ministrit gjerman të Punës, Hubertus Heil. Përveç mobilizimit të fuqisë punëtore të brendshme do të nevojitet “më shumë fuqi punëtore e ardhur nga jashtë”. Ajo që vlen është “të përfitojme kokat e mençura, dhe duart ndihmëse për tregun tonë të punës”, ka theksuar socialdemokrati Heil. Sipas një studimi të porositur nga Ministria e Punës, boshllëku i fuqisë së kualifikuar punëtore mes nevojës së re të krijuar dhe ofertës pritet të rritet deri në vitin 2026 në 240.000 persona, kjo sidomos për arsye demografike.

Sipas qarqeve qeveritare në Berlin, të kualifikuarve nga shtetet e treta do t’u lehtësohet imigrimi për punë edhe pa njohjen formale të diplomës apo arsimimit të caktuar. Kush ka të paktën një përvojë dy vjeçare në punë dhe ka përfunduar universitetin apo shkollimin profesional, atij duhet t’i jepet mundësia për të pasur një punë në një sektor jo të përcaktuar nga rregulla të forta. Diplomimi nuk ka nevojë të njihet në Gjermani, kjo do të lehtësonte punësimet. Ndërsa për sektorë me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore mendohet të lejohet “udhëtimi i kufizuar i disa kontigjenteve” dhe kjo “pavarësisht nga kualifikimi”.

Po ashtu do të duhet të vijnë më shumë të rinj nga vendet jashtë BE për shkollim profesional në Gjermani. Për këtë mendohet të hiqet verifikimi prioritar për hyrjen në Gjermani për shkak të shkollimit. Kështu Agjencia Federale e Punës nuk do të duhet të vërtetojë më që me këtë kërkesë nuk spostohet një aplikues vendas.  /DW/