Doni të punoni në SHBA? Ja lehtësitë që ofron ambasada amerikane

1106
0

Ëndrra e shqiptarëve për të punuar dhe jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rritet çdo ditë e më shumë. Kjo vihet re edhe nga interesi i lartë për të aplikuar në llotarinë amerikane, por edhe në komentet e tyre kur nuk e fitojnë atë. Por, ka edhe mënyra të tjera ligjore që lejojnë dhe lehtësojnë këtë proces.

Ambasada amerikane në Tiranë prej kohësh ka dhënë shpjegimet e nevojshme se si mund të aplikohet për vizë pune në SHBA.

Më poshtë janë detajet e nevojshme:

Çfarë informacioni duhet të dimë rreth punësimit në SHBA?

Vizat për punë janë të ndara në viza imigruese dhe viza jo-imigruese. Me një vizë imigrimi të bazuar në punësim, shtetasit të huaj do t’i lëshohet leja e qëndrimit, ose siç njihet gjerësisht karta e gjelbër dhe do të jetë në gjendje të qëndrojë në SHBA përgjithmonë. Kurse viza jo-imigruese u lejon shtetasve të huaj të punojnë në SHBA për periudhën kohore të përcaktuar në peticionin e tyre, ose autorizimin e tyre për punë. Ligji i SHBA-së i Imigracionit u siguron shtetasve të huaj mënyra të ndryshme për t’u bërë banorë të përhershëm të ligjshëm (pra, për të marrë kartën e gjelbër) nëpërmjet punësimit në Shtetet e Bashkuara. (Këtu është një lidhje me informacion se si të përfitoni një kartë të gjelbër nëpërmjet një vize të bazuar në punësim)

Çfarë mund të bëjë një shqiptar për të aplikuar për një vizë të bazuar në punësim?

Para së gjithash, duhet të keni aftësitë e kërkuara për punën që po aplikoni. Nëse aplikoni për vizë imigrimi bazuar në punësim, punëdhënësi i ardhshëm duhet të marrë certifikatën e punës nga Departamenti i Punës, Formularin ETA-9089. Pastaj, punëdhënësi i ardhshëm (peticioneri) do të dorëzojë Formularin I-140, Peticion Immigrimi për Punonjësin e Huaj pranë Shërbimeve të Shtetësisë dhe të Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS). Nëse miratohet, USCIS do ta përcjellë dosjen tuaj në Qendrën Kombëtare të Vizave (NVC) për plotësimin e dokumentacionit tuaj. Sapo çështja të jetë plotësuar nga ana dokumentare dhe rasti është aktual, NVC cakton një datë interviste në Seksionin Konsullor.

Çfarë duhet të dimë për vizën me bazë punësimi të preferencës së tretë EB-3 për punëtorët e kualifikuar?

Para së gjithash, ligji përcakton se shtetasi i huaj duhet të kryejë një punë për të cilën nuk ka punëtorë të kualifikuar në Shtetet e Bashkuara. Viza EB-3 është për a) punëtorë të kualifikuar me mbi 2 vjet eksperiencë pune ose trajnim, b) profesionistë që posedojnë një diplomë universitare amerikane ose ekuivalente të diplomës së huaj dhe ky profesion ka si kusht që personi të ketë një diplomë të shkollës së lartë për të filluar në atë profesion dhe c) punëtorë të tjerë që kryejnë punë të pakualifikuar (që kërkon më pak se 2 vjet trajnim ose përvojë), punë e cila nuk është e natyrës së përkohshme ose sezonale. Certifikimi i punës dhe një ofertë pune e përhershme me orar të plotë janë kusht për t’u kualifikuar në këtë kategori.

Si mund të krijojmë kontaktin e parë me punëdhënësin e ardhshëm? A ka agjenci rekrutimi? A mund t’u besojmë atyre?

Një mënyrë është të shikoi nëpërmjet lidhjeve tuaja familjare për një mundësi të tillë për një punëdhënës të ardhshëm i cili dëshiron të punësojë një shtetas të huaj për një punë për të cilën nuk ka punëtorë Amerikanë të kualifikuar të disponueshëm në Shtetet e Bashkuara. Zakonisht këto kompani kanë avokatët e tyre të imigracionit të cilët mund të udhëzojnë punonjësit e ardhshëm përgjatë procesit. Gjithashtu, ka avokatë të imigracionit që merren me këtë proces, por duhet të përdorni kujdes ekstrem, pasi ju mund të bini viktimë e tarifave të fryra, ose informacioneve të pasakta.

Sa të ligjshëm janë avokatët amerikanë në Shqipëri që mund të asistojnë këtë process?

Ambasada e SHBA-së nuk punon me asnjë avokat të imigracionit dhe ne nuk i miratojmë asnjë prej tyre, Amerikan ose Shqiptar. Ndërkohë që kontrata ndërmjet personit që kërkon punë dhe firmës ligjore është private, ne rekomandojmë që të kontrolloni disa opsione, qoftë edhe një kërkim në internet, përpara se të vendosni se për kë dëshironi të punoni. Në këtë mënyrë, ju do të kuptoni më qartë se cila mund të jetë tarifa mesatare në mënyrë që të mos bini viktimë.

A kanë të drejtë shqiptarët për të aplikuar si punëtorë të përkohshëm?

Në mënyrë që një shtetas i huaj të vijë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të ligjshme të punojë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara, punëdhënësi i ardhshëm duhet në përgjithësi të paraqesë një peticion joimmigrues në emër të tyre me zyrën e USCIS. (Këtu gjeni një listë të plotë të kategorive) Ekzistojnë disa klasifikime të punëtorëve jo-imigrues të përkohshëm për të cilat shqiptarët aplikojnë. Disa nga kategoritë më të zakonshme të vizave që shqiptarët aplikojnë janë: E-2 Tregtar Traktati, H-1B Punëtorë në një profesion specialiteti, H-2B Punëtorët e përkohshëm jobujqësor, I – Përfaqësues të shtypit të huaj, radios, film, ose mediave të tjera të huaja të informacionit, L- Të transferuarit ndërmjet kompanive, etj.