“Do të përmbush amanetin e babait”, Historia prekëse e djalit me aftësi ndryshe

717
0

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela Shqiptare” në Tv Klan ka shkruar Xhoana nga Lezha, motra e Aleksandrit, i cili është personazhi që iu bë surpriza. Aleksandri ka lindur me aftësi ndryshe, pasi krahët dhe këmbët e tij nuk janë zhvilluar në proporcion me trupin. Motra e tij Xhoana, tregoi historinë e tij, paragjykimet me të cilat përballet ai si dhe dëshirën për të vazhduar studimet. Ne studio ishte gjithashtu dhe Bardhok Pulaj, Drejtor i Drejtorisë Arsimore të Lezhës.

Xhoana : Vëllai ka qenë 13 vjeç kur unë kam lindur dhe ka qenë personi i parë që është kujdesur për mua, sikur një nënë. Më ka ushqyer, lidhur dhe zgjidhur në djep, më ka mësuar të hedh hapat e parë. Gjithashtu ai më ka çuar dhe në shkollë. Kur rrëzohesha më thoshte mos u mërzit se plaga jote do të shërohet shumë shpejt. Ai ka qenë një person shumë i ndrojtur. Para se të vdiste babai i ka thënë që duhet të bënte një shkollë si të gjithë shokët e tjerë, por paragjykohej nga njerëzit.

Ardit Gjebrea: Pse paragjykohej vëllai?

Xhoana: Sepse ai ishte ndryshe nga të tjerët…

Ardit Gjebrea: Kur e kuptove ti këtë gjë?

Xhoana: Kur isha 7 vjeçe, në klasën e parë. E kuptova që vëllai im kishte një trup jo si gjithë të tjerët, mënyra si ecte, duart nuk i ka si unë.

Ardit Gjebrea: Si i ka duart?

Xhoana: Nuk e ka të gjithë krahun, siç i kemi ne. Kur ai lindi nënës sime i thoshin që ta braktiste dhe ta çonin në jetimore. Por ajo nuk pranoi dhe e ka rritur si të gjithë fëmijët e tjerë, edhe pse ai ka marrë më shumë dashuri.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë jeni ju?

Xhoana: Jemi pesë fëmijë dhe Aleksandri është i dyti. Këmbët i ka të ngjitura pas kofshës, nuk i ka si ne normal. E vetmja dëshirë e tij është të ketë një karrocë dhe të dalë xhiro si të gjithë njerëzit e tjerë. Edhe ai njeri si ne është nuk duhet të paragjykohet.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është vëllai?

Xhoana: 32 vjeç…

Ardit Gjebrea: Me shkollën si është vëllai?

Xhoana: Pati filluar vjet, kur ishte 31 vjeç, filloi shkollën dhe mbaroi klasën e parë. Kishte aftësi shumë të mirë me nxënësit dhe sillej shumë mirë. Më përpara nuk e pranonte njeri, pasi fëmijët e tjerë do e braktisnin shkollën.

Ardit Gjebrea: E vazhdon shkollën?

Xhoana: Në fakt, shkollën e ka lënë përgjysëm, klasën e dytë, pasi nuk kishte furgona për ta çuar në shkollë në një fshat tjetër. Shoferi u ankua se nuk mund ta merrte në krahë për ta ulur tek furgoni.

Ardit Gjebrea: A del jashtë shtëpisë vëllai?

Xhoana: Del, largohet, ka dhe raste që ka ikur pa e ditur ne. Ka dalë xhiro.

Ardit Gjebrea: Si po e përjeton mungesën e mos vajtjes në shkollë?

Xhoana: Mërzitet, nuk ka uri. Del në qytet rri vetëm dhe nuk flet fare. Pasi me thotë se nuk e di nëse do më kuptojë njeri sot, pasi paragjykohet. Pasi gjymtyrët e tij nuk janë si njerëzit normale.

Ardit Gjebrea: Me kë flet më shumë?

Xhoana: Më së shumti flet dhe del me mua. As mamin nuk e kërkon për të dalë.

Gazetari i “Ka një mesazh për ty” shkoi në periferi të qytetit të Lezhës për ti dhënë mesazhin Aleksandrit.

Ai mbërrit në studion e “Të Dielës Shqiptare” dhe i pyetur nga Arditi si kush mund ta kishte thirrur, Aleksandri tha se nuk e kishte idenë.

32- vjeçari rrëfeu për jetën e tij. Ai ka mbaruar klasën e parë dhe është në të dytën. I pëlqen që të jetë i pranishëm në shoqëri si dhe të shkruajë.

Ardit Gjebrea: Ti e përdor mirë kompjuterin, si e ke mësuar?

Aleksandri: Kam pasur një mësues në Lezhë, një italian dhe atje i kam mësuar. Shkronjat i kam mësuar në moshën 29 vjeçare.

Ardit Gjebrea: Sa larg e ke qytetin?

Aleksandri: 30 minuta larg dhe shkoj me furgon. Në ato furgonët që janë të lartë e kam problem për të hipur, pasi e kam problem nga këmba.

Pas një bisede të shkurtër në ekranin përballë Aleksandrit u shfaq motra e tij, Xhoana e cila ishte dhe personi që donte ti bënte këtë surprizë vëllait të saj.

Xhoana i dha një mesazh Aleksandrit: Kam një mesazh për ty. Dua që ti të jesh i lumtur dhe asnjëherë të mos mërzitesh. Do më kesh pranë gjatë gjithë jetës tënde. Do jem unë ajo që siç je kujdesur ti gjithmonë për mua, ashtu do të kujdesem dhe unë. Dua të jesh i lumtur, i buzëqeshur asnjëherë të mos mërzitësh. Je një person shumë i shtrenjtë për mua dhe për këtë të dua shumë.

Aleksandri rrëfeu se shumicën e gjerave mund ti bëjë vetë, si të ushqehet, të shkruajë, të përdori kompjuterin. E vetmja gjë që ai do më shumë është që të bëjë shkollën, pasi dhe babai i tij i ndjerë ka pasur shumë dëshirë që ai të shkollohej. Ai tani nuk shkon dot në shkollë, pasi furgoni është shumë i lartë dhe ai nuk mund të hipë dot.

Aleksandri: Shkolla në fshatin tim është mbyllur dhe unë duhet të shkoj në një shkollë tjetër, po furgoni është i lartë dhe nuk ishte për mua. Më patën thënë se do i sillnin një furgon personal. Por tani kam një muaj që rri në shtëpi. Mërzitem se dhe babai më ka vdekur dhe ndihem keq.

Ardit Gjebrea: Unë di që babai juaj e kishte ëndërr që të shkollohej dhe kjo ëndërr është prerë në mes…

Por Arditi i ftoi Aleksandrit që të shikojë nga publiku, pasi aty ishte profesor Aleksandër Pulaj.

Profesori tha se Aleksandri është njeriu që ju thotë të gjithëve se ka gjithmonë mundësipër tu shkolluar dhe për të ecur përpara.

Profesori Bardhok Pulaj, tha se është hartuar një program ku Aleksandri do të ndjekë një shkollë më kohë të pjesshme në Lezhë, ku ai do të mbyllë dy vjet të shkollës brenda një viti. Ai do të mbarojë këtë vit shkollor, ku do të përfundojë klasën e dytë dhe të tretë.

Por nuk mbaron këtu surpriza për Aleksandrin, profesori premtoi gjithashtu se do të marrë përsipër transportin e ditëve që do të shkojë në shkollë.

Bardhok Pulaj: Çdo njeri ka të drejtën e shkollimit, pavarësisht arsyeve, mundësive dhe kohës. Do të mendojmë që Aleksandri të ndjekë dhe shkollën e mesme dhe do të punojmë në mënyrë të intensive që të mbarojë 9-vjeçaren. Unë gjithashtu di se Aleksandri do të hapë dhe një dyqan për kompjutera dhe elektronik në Lezhë. Ai ka shumë vullnet. Unë njoh vetëm nënë e tij dhe e kam parë që është një zonjë, pasi ka bërë një sakrificë për djalin e saj.

Edhe këtë herë “Ka një mesazh për ty” bëri njerëz të lumtur dhe u riktheu buzëqeshjen Aleksandrit dhe motrës së tij. Tani ai do të ndjekë shkollën që e kishte me aq shumë pasion. /tvklan