Do të emigrosh në Kanada? Avokati shqiptar na tregon kriteret dhe kushtet

2477
0

Zotërimi i gjuhës angleze në nivel të avancuar mbetet kushti kryesor dhe më i rëndësishëm për të emigruar në Kanada.

Nëse vite më parë kishte përparësi mosha dhe shkollimi i aplikuesit, sot kahu ka ndryshuar dhe është gjuha vendëse ajo që kryeson listën e kritereve që duhen përmbushur për procesin “Express Entry”, ku renditja bëhet me anë të pikëve. Avokati shqiptar në Montreal Gjergji Hasa jep informacion të detajuar mbi të gjitha format e emigrimit që aplikohen për të shkuar në Kanada, kushtet që duhen plotësuar dhe shanset për të fituar.

Gjatë një interviste dhënë më herët për “Flasshqip.ca”, Hasa thotë se janë mbi 330 mijë emigrantë që pranohen çdo vit në Kanada. Krahas “Express Entry”, marrja e vizës, sipas tij, mund të arrihet edhe përmes lejes së punës, bashkimit familjar dhe studimeve.

“Atyre që duan të emigrojnë në Kanada do t’i këshilloja të mësonin në një nivel mesatar një nga gjuhët zyrtare të Kanadasë dhe të kenë vullnetin, mundësinë financiare dhe dëshirën për t’u arsimuar në Kanada që të kenë një mundësi të emigrojnë në këtë vend. Pa gjuhë dhe pa dëshirë për t’u arsimuar, reduktohen shanset me rreth 80-90%”. Hasa është i pari shqiptar nga Republika e Shqipërisë i diplomuar jurist në Universitetin prestigjioz McGill-Kanada dhe partner në firmën “Ferdoussi Hasa Attorneys”.

KRITERI I GJUHËS

“Në dhjetë vitet e fundit, politika emigruese e Kanadasë ka ndryshuar dhe është bërë më e vështirë sepse kërkesat janë shumë të larta nga e gjithë bota, kështu që Kanadaja synon të zgjedhë emigrantët më të kualifikuar. Kriteri që ka ndikuar më tepër në seleksionimin e emigrantëve që vijnë në Kanada është perfeksionimi i gjuhës angleze dhe franceze. Kjo sërish është e lidhur me interesat ekonomike të Kanadasë.

Në qoftë se para 10 vitesh të jepnin shumë pikë për moshën dhe shkollimin e aplikuesit, sot jepen shumë herë më shumë pikë për nivelin e gjuhës. Për shembull, në procesin e “Express Entry” për të kapur pikë kyçe që të arrish pikët minimale (rreth 440 pikë) për një ftesë për rezidencë të përhershme duhet të kesh nivelin e IELTS mbi 7. Ky është një nga ndryshimet thelbësore. Rritja e kriterit të gjuhës ka kufizuar jashtë mase emigrimin e shqiptarëve drejt Kanadasë si rezidentë të përhershëm.

Duke e ditur që shqiptarët e kanë të vështirë të arrijnë nivelin 7 të IELTS, eliminohen, kurse për të emigruar në Quebec duhet frëngjishtja në një nivel mesatar të avancuar që është B2. Në vitet e fundit edhe ky kriter u rrit nga B1 në B2. Kjo më nxjerr në konkluzionin që pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, duke e vënë re edhe në punën e përditshme si avokat në fushën e emigracionit, janë duke ardhur përmes vizave të studimit ku zotërimi i anglishtes apo frëngjishtes nuk kërkohet të jetë i lartë.

Me sa di unë, Kanadaja është një nga vendet e fundit perëndimore që ka programe të posaçme për studentët e huaj që të marrin rezidencën e përhershme dhe pas tre vitesh nënshtetësinë kanadeze”.

EKSPERIENCA PROFESIONALE

“Një emigrant nuk mund të marrë leje pune pa pasur punëdhënës në Kanada. Jo vetëm gjendja ekonomike e punëdhënësit, por edhe pozicioni që do ketë emigranti në kompani duhet të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë me eksperiencën profesionale të punonjësit dhe pozicioni i lirë që i ofrohet emigrantit në kompani. Për shembull, një kompani ka nevojë për një IT. Që të punojë si IT, rregullorja në Kanada (e njohur si National Occupational Classification) i kërkon që të ketë patjetër një diplomë universitare për atë vend pune. Në qoftë se këto të dyja nuk lidhen, ky duhet të jetë një alert për një emigrant që aplikimi nuk do të ketë sukses, pasi nuk plotëson një nga kushtet bazë. Një shembull tjetër është ai i kuzhinierit, ku nuk kërkohet gjithmonë diplomë, por kërkojnë disa vite eksperiencë, pra, më shumë se dy vite. Në qoftë se nuk plotëson kushtin e eksperiencës së punës, përsëri aplikimi do të refuzohet. Agjentët e emigracionit marrin tepër seriozisht çdo kriter dhe në qoftë se një prej kritereve nuk plotësohet, aplikimi refuzohet”.

BASHKIM FAMILJAR

“Sa i përket bashkimit familjar, ai është i kufizuar në kategori dhe në numër. Këtu përfitojnë gjyshërit, prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët. Fëmijët janë të kufizuar deri në moshën 22 vjeç dhe nëse fëmija e kalon këtë moshë, ai ose ajo nuk mund të sponsorizohet. Aplikimet për t’u bashkuar me prindërit apo gjyshërit janë në rritje, por të limituar në 20,000 aplikime për 2019, ishte 10,000 në 2018, dhe 5,000 kur qeveria konservative e ish-Kryeministrit Harper ishte në fuqi”.

“EXPRESS ENTRY”

“Lidhur me ‘Express Entry’, ky proces ka në total 1200 pikë dhe 600 pikë jepen për aftësitë personale të një kandidati. Pikët e tjera jepen nëse, për shembull, kandidati është i përzgjedhur nga një provincë në Kanada. Në qoftë se një kandidat nuk ka 440-450 pikë në ‘ExpressEntry’ do të jetë shumë e vështirë që t’i përzgjidhet kandidatura. Gabimi që bëjnë kandidatët është që në vend që të marrin një profesionist në fillim për t’u bërë një vlerësim të të gjithë komponentëve dhe për t’i nxjerrë pikët e përafërta, ata fillimisht aplikojnë, duke harxhuar mbi 1 mijë dollarë në pagesa të ndryshme për të përgatitur dhe dorëzuar aplikimin dhe në fund e shohin që janë larg kufirit minimal”.

KËRKESA PËR AZIL

“Për shumë arsye, nuk do i inkurajoja shqiptarët që të kërkojnë azil në Kanada. Për çdo shqiptar që do të dijë informacionin që ka qeveria kanadeze për Shqipërinë, ata mund ta lexojnë në një faqe të posaçme të ‘Immigration and Refugee Board of Canada (IRB)’ që quhet ‘National Documentation Packages (NDP)’. Në seksionin për Shqipërinë do të shohin me dhjetëra dokumente që japin informacion në të gjitha fushat e mundshme në lidhje me gjendjen në Shqipëri që mund të ketë lidhje me kriteret e nevojshëm për përzgjedhjen e azilkërkuesve. Ajo që del nga këto dokumente është që Kanadaja ka informacion që ndihma e shtetit për të mbrojtur shtetasit e saj ekziston në Shqipëri. Sa e vërtetë është kjo në jetën e përditshme të shqiptarëve në Shqipëri është pyetje tjetër, por sot këtë informacion ka Kanadaja se këtë pikësynim ka edhe qeveria aktuale. Por, me pak fjalë, dëshiroj ta bëj të qartë që në qoftë se një shqiptar nuk kërkon ndihmën e shtetit shqiptar (duke siguruar provë dokumentare për këtë) përpara se të vijë dhe të kërkojë azil në Kanada, shanset janë shumë të larta që kërkesa e tij të refuzohet”.