Ditë e keqe për demokracinë shqiptare

699
0

Pas disa intervistave për mediat e huaja, Kryeministri Edi Rama ka folur vetëm pasditen e së enjtes me publikun për dy protestat e opozitës dhe djegien e mandateve nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në një dalje për mediat nga selia e Kryeministrisë, Rama tha se dita e sotme është një ditë e keqe për demokracinë, që mund të rezultojë fatale edhe për çeljen e negociatave.

“Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare kjo e sotmja, s’ka dyshim. Është e dëmshme sa të duash për produktivitetin e jetës sonë politike kjo zgjedhje destruktive e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e popullit. Është fatkeqësia e përsëritur e këtij vendi që goditet nga bijë ndër të vetët kur ka përpara një mundësi reale për t’u ngjitur më lart. Kjo është një goditje që mund edhe të rezultojë fatale për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE këtë vit. Ashtu sikundër pamjet e turpshme të së shtunës, të cilat bënë xhiron e botës, mund të kenë pasoja jo të vogla mbi sezonin e ardhshëm turistik, pra mbi ekonominë dhe punësimin e shqiptarëve dhe investimet e reja në turizëm dhe jo vetëm në turizëm. S’jam megjithatë këtu sot për të fajësuar opozitën, që fajësinë e saj e ka bërë vetë, botërisht publike. S’jam po ashtu aspak i qetë që opozita jonë sot është kthyer në shqetësim real, serioz për partnerët tanë strategjikë, BE dhe SHBA.”

Rama tha se mazhoranca është e gatshme të ulet e të dialogojë për gjithçka i shërben forcimit të institucioneve dhe të demokracisë, por jo për ndërprerjen e mandatit dhe zgjedhje të parakohshme. Ai hodhi poshtë çdo mundësi për qeveri tranzitore që kërkohet nga opozita.

Ne mund të bëjmë fare pak, ose aspak për ta shmangur vetëvrasjen politike të heqjes dorë nga përfaqësimi i zgjedhësve në parlament. Zgjedhësit do ta japin gjykimin kur të vijë radha e tyre për të folur me votë qoftë në Qershor të këtij viti, qoftë në Qershor të vitit 2021. Përgjegjësia jonë është të vazhdojmë drejt dhe tu shërbejmë me përkushtimin më të madh të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, aq më tepër në këto kushte, kur qytetarët demokratë, nuk i përfaqëson më askush në tempullin e demokracisë.

Kreu i qeverisë tha se dora e dialogut do të jetë e shtrirë, por shumica do të vazhdojë punën.

Dora e bashkëpunimit dhe dialogut me opozitën pavarësisht vetëpërjashtimit të saj ekstrem nga jeta parlamentare është e shtrirë dhe do të mbetet e shtrirë, edhe kjo temë me siguri do të ketë kohën e vet të shtjellimit më herët se vonë, sepse jeta parlamentare e atyre që sot lanë mandatet me sa duket mbaroi për këtë legjislaturë, por jeta politike vazhdon, ashtu sikundër kjo shumicë qeverisëse do të vazhdojë punët për Shqipërinë, jo sikur nuk ka ndodhur asgjë, por edhe sepse kjo që ndodhi na ngarkon me një përgjegjësi edhe më të madhe në udhëheqjen e vendit.