Deputeti socialist me apartamente në SHBA dhe në bregdet, makinë 50 mijë dollarë, universitetin e deklaron OJF

584
0

Deputeti socialist Anastas Angjeli është një ndër emrat e pasur të Kuvendit. Sipas të dhënave të deklaruar pranë tij në ILDKP, deputeti Angjeli ka deklaruar se është pronar i një sërë apartamentesh, ku kryesisht spikat apartamenti me vlerë 330.000 dollarë në Boston të SHBA-së. Por krahas këtij apartamenti, Angjeli ka në pronësi dhe një apartament me sipërfaqe 158 m2 në Sarandë; tokë me sipërfaqe 440 m2 po në Sarandë me vlerë 264.000 lekë; si dhe një dyqan me sipërfaqe 99 m2 po në Sarandë por që nuk e ka specifikuar vlerën se sa e ka blerë. Sakaq, deputeti Anastas Angjeli ka deklaruar se ai së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes posedojnë një sërë llogarish bankare, ku përveç shumave të mëdha bien në sy llogaritë jashtë vendit. Kështu, deputeti Angjeli ka deklaruar se ka llogari bankarenë Commerce Bank, USA; në EuroBank, Greqi; si dhe në disa banka të tjera jashtë vendit. Por krahas këtyre, në deklaratën e pasurisë së deputetit të PS, bien në sy edhe vlerat e shtrenjta të automjeteve që ai dhe familja e tij kanë në dispozicion.

Angjeli ka deklaruar se zotëron një automjet me vlerë 50.915 dollarë, blerë nga të ardhurat familjare. Po ashtu ai ka deklaruar se e bija Jona Marashi zotëron dy automjete, njëri me vlerë 26.800 dollarë dhe tjetri me vlerë 28.000 dollarë. Por krahas pasurisë tepër të madhe, paradoksi më i madh i deputetit Anastas Angjeli është se ai ka deklaruar Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë si një Organizatë Jofitimprurëse me vlerë 100.000 lekë. Pra është e çuditshme sesi një universitet ku çdo vit regjistrohen qindra student pranë tij duke paguar qindra lekë për të studiuar të deklarohet si një OJF.

Deputeti socialist Anastas Angjeli ka deklaruar gjatë 2017, 1.492.125 lekë të ardhura nga paga bazë si deputet; 802.280 lekë të ardhura nga pagesa të tjera nga Kuvendi; 2.187.474 lekë të ardhura nga pagesat dhe udhëheqjet shkencore në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë; 510.000 lekë të ardhura nga pagesa si anëtar i Akademisë së Shkencave; si dhe 5.000 euro nga pagesa për të drejtën e autorit për botimin “Origjina e parasë”.

Por krahas këtyre të ardhurave, deputeti Angjeli ka deklaruar dhe të ardhura të shumta të siguruara nga bashkëshortja dhe fëmijët. Ku dhe këta të fundit, sipas deklaratës së pasurisë, shumicën e të ardhurave e kanë fituar nga mësimdhënia në Universitetin Mesdhetar, që deputeti e ka deklaruar si OJF.

Por krahas të ardhurave të siguruara, deputeti Angjeli ka deklaruar dhe një sërë kredish bankare. Ai ka deklaruar se ka marrë një kredi bankare në BKT për blerjen e një autoveture më 2015, si dhe një kredi bankare në bankën Eurobank, në Greqi për blerjen e një apartamenti për të motrën. Ndërkaq, deputeti Anastas Angjeli ka deklaruar dhe një sërë pasurish në emër të bashkëshortes, ku bie në sy dhe një kredidhënie me vlerë 21.132.599 lekë ndaj një personi tjetër, analizon “Sot”.