Deklarata e bujshme nga Shtëpia e Bardhë: “Nuk do ta kontrollojmë koronavirusin”

635
0

Me rritjen e numrit të rasteve me koronavirus në SHBA, shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows deklaroi diten e dielë se vendi i tij “nuk do ta kontrollojë pandeminë”.

Meadows i tha gjithashtu televizionit CNN, “Ne do të kontrollojmë faktin që do të marrim vaksina, terapi dhe masa lehtësuese në aspekte të tjera”.

Gjatë një intervistë me gazetarin Jake Tapper, zoti Meadows mbrojti politikën për pandeminë të Presidentit Donald Trump. Komentet vijnë vetëm nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit mes kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden.

“Jemi shumë më mirë se sa do të kishim qenë. Presidenti i ka bërë të gjitha,” tha zyrtari, i cili shtoi se kandidati Biden “do t’i fuste të gjithë në izolim”.

Donald Trump mban tubime të përditshme fushate, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, shpesh vetëm ata që ulen në radhët prapa tij dhe që kapen nga kamerat televizive, por jo ata të cilët qëndrojnë grumbull përpara presidentit.

Meadows tha se fushata e zotit Trump shpërndan maska nëpër tubime por nuk i detyron njerëzit t’i mbajnë ato.

“Është një shoqëri e lirë,” tha zoti Meadows, duke e lënë në dorë të secilit përdorimin e maskës. Presidenti Trump rrallë shihet në publik me maskë, ndërkohë që rivali i tij demokrat e përdor vazhdimisht atë kur bën fushatë para grupeve të vogla të mbështetësve ose virtualisht.