Euro ka shënuar rënie ditën e sotme në tregun vendas, pas tre javësh që ishte në rritje të fortë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 130.66 lekë, ose 0.4 lekë më pak se një ditë më parë, duke shënuar të parën rënie që prej datës 12 mars.
![](https://shqiptari.net/wp-content/uploads/2020/03/Screenshot_2020-03-31-Kursi-zyrtar-i-këmbimit.png)
Gjatë ditë së djeshme një euro u këmbye sot me 131.06 lekë, me rritje 2.89 lekë në raport me fundin e javës së kaluar. Ky është niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2018. Që nga data 12 mars, kur filloi dhe kufizimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve ekonomike, si një masë për të kufizuar përhapjen e infeksionit Covid-19, euro u rrit në mënyrë të pandalshme deri ditën e djeshme me me 8.27 lekë.
Aktorët e këmbimit valutor pohuan se kjo rritje është artificiale e ndikuar nga rrethanat e kufizimit të aktivitetit ekonomik dhe lëvizjeve, kërkesën e importuesve të ushqimeve dhe mbi të gjitha për pamundësinë e hyrjes së valutës në Shqipëri, pas ndalimit të fluturimit të avionëve që bënin dhe transportin e parave.
Por, aktorët e tregut pohojnë se në fundjavë është bërë transportimi i valutës me avion në Shqipëri, duke furnizuar bankat me valutë dhe kjo ka qetësuar situatën, çka është reflektuar dhe në kursin e këmbimit gjatë ditës së sotme.
Rënia e euros në tregun vendas është favorizuar dhe nga nënçmimi i saj në bursa, ku euro ka arritur në 1.09 dollarë, me rënie ditore prej 0.64%, si rrjedhojë e frikës së pasojave në ekonomitë europiane të përhapjes së koronavirusit.
Ndryshe nga euro, dollari në tregun vendas ka vijuar rritjen, duke u këmbyer sot me 118.75 lekë, 0.45 lekë më shumë se një ditë më parë. Paundi ka ndalur rënien, ndërsa franga ra me 0.48 lekë.
Gjithsesi, në këto rrethana parashikimi i ecurisë së kursit mbetet i pamundur, pasi do të varet nga kërkesë-oferta, hyrjet e valutës si dhe performance e aktivitetit ekonomik.