“Djalin e kishte në gji”, çfarë mban mend Evisa nga aksidenti ..

1041
0

Evisa Preka, e cila i mbijetoi aksidentit tragjik të 18 shkurtit në Velipojë, që nga e shtuna që shkoi ndodhet në katin e dytë të spitalit të Durrësit, në repartin e ortopedisë. 36-vjeçarja, e cila humbi në aksident tre fëmijët dhe bashkëshortin është marrë nga spitali i Shkodrës nga prindërit e saj, të cilët nuk i ndahen për asnjë moment.

Barra më e rëndë i ra të atit, Nuredin Likës, i cili mori guximin dhe i tregoi vajzës se kishte humbur familjen. Në një intervistë për “GSh”, 73-vjeçari pohoi se e bija është në gjendje shoku dhe nën efektin e qetësuesve të shumtë. Ai tregoi me detaje se si e morën lajmin për aksidentin ku humbi dy mbesat 5 e 10 vjeçe, nipin 6 muaj dhe dhëndrin, Edmondin. Përmes lotëve që i derdhen në faqe, i moshuari rrëfeu dhe historinë e dashurisë së vajzës së tij, Evisës me Mondin. Ndërkaq, Nuredin Lika u shpreh se janë të shokuar nga gjithë ajo që ndodhi, por edhe indiferenca e shtetit. Ai bën apel që e bija të dërgohet për kurim jashtë shtetit, të bëjë operacion plastik, pasi është dëmtuar rëndë.

Nuredin, ka kaluar një javë nga aksidenti tragjik që ndodhi në Velipojë. Mund të na thoni si është vajza juaj, Evisa?

Vajza është në gjendje të keqe nga të gjitha gjërat. Një nënë që mbeti pa fëmijë. Ndërsa, unë si prind po mundohem ta ngre sërish në këmbë. Nuk e lë dot vajzën time në këtë gjendje. Të shtunën që shkoi e mora time bijë nga spitali i Shkodrës dhe e solla në Durrës. Këtu jemi ne, prindërit e saj dhe do t’i bëjmë shërbimin, pasi ajo më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen tonë. Evisës iu mbyll shtëpia e iu shua familja. U thashë krushqve se ata kanë edhe hyrje-dalje dhe se vajzën do e mbajmë vetë tani, se është pa burrë e pa fëmijë dhe nuk kemi si ta lëmë vetëm.

Si e mësuat lajmin për aksidentin, të cilit i mbijetoi vetëm Evisa?

E mësuam shumë shpejt, pasi na telefonuan të afërmit tanë. Pas lajmit të hidhur, u nisëm menjëherë për në Shkodër. Unë dhe gruaja, pasi dy djemtë tanë rrinë në Itali. Unë mësova që dhëndri e dy fëmijët e vegjël kishin humbur jetën. Ndërsa vajza e madhe, Noemi kishte thyer shtyllën kurrizore dhe dihej që pak shpresa kishte. Noemi ishte një dhomë më tej Visës, por ajo nuk e dinte.

Ju i qëndruat vajzës në spital. Si ia fshehët humbjen e 3 fëmijëve dhe të bashkëshortit për disa ditë?

Unë jam shumë i lidhur me Visën, aq sa nuk mund ta merrni me mend. Ne jemi shokë më shumë se prind. Visa është zemra e babit, është e vogla ime. Ajo më thoshte: ‘Babi më sill fëmijët këtu se dua t’i shoh’. Ndërsa, unë i thosha që janë të fashuar në reanimacion, janë të fashuar dhe se i shikoj nga xhami i dritares se nuk më lënë të hyj atje. I thosha janë mirë, po bëhu mirë ti. Më thoshte pa pushim dua fëmijët, dua fëmijët. Diçka kishte kuptuar për vajzën e djalin e vogël. Pasi edhe Noemi i gjyshit ndërroi jetë, unë u kërkova mjekëve të spitalit të Shkodrës të më sillnin vajzën për kurim në Durrës që ta kisha afër dhe ata pranuan. Vajza ime është kthyer nga vdekja, ndërsa humbja e fëmijëve të saj, për ne si gjyshër është humbje e rëndë si plumbi.

Kush i tregoi Evisës për humbjen e familjes?

Unë fola me psikologen në fillim, pastaj e mblodha veten. Evisa mua më ka njeriun më të afërt të zemrës. Nuk kishte kush t’ia thoshte njeri tjetër. E mblodha veten dhe i thashë: ‘Dëgjo bijë e babait, ti e di që Ajseli dhe Rejani me babin e tyre ikën që atë natë në aksident. Por, edhe Noemi iu bashkua motrës e vëllait. Evisa mbeti e shtangur për një kohë të gjatë dhe nuk fliste. Në fund psherëtiu gjatë dhe shpërtheu në lot. Nuk i largon dot lotët nga sytë. Ajo ka mbetur pa dritën e syve të saj.

Keni folur me Evisën se ku kishin qenë para aksidentit?

Kam bërë biseda këto dy ditë dhe më tregoi që kishin qenë për vizitë tek një shoku i ngushtë i dhëndrit në Vilun. Ndërsa, një javë para aksidentit kishin drekuar me ta familjarisht. Atë ditë u kishin kthyer vizitën. Ishin duke u kthyer në shtëpi. Sapo kishin kaluar kishën e Velipojës, ishin maksimumi 600 m larg prej shtëpisë ku banonin kur u aksidentuan.

Si e kujton aksidentin Evisa?

Nuk mban mend gjë nga momenti që ka ndodhur. Kujton që bashkëshorti, Mondi po i jepte makinës dhe po fliste me vajzën 5 vjeçe, Ajselin, e cila ishte në vend të parë të pasagjerit. Asnjëri prej tyre nuk i kishte vënë rripat e sigurimit. Më tha se ajo po mbante në gji, Rajanin 6 muajsh, ndërsa pranë kishte Noemin 10 vjeçe. Nuk e kujtoj thotë përplasjen, por mban mend kur kishte fluturuar jashtë makine dhe dëgjonte Ajselin që qante: ‘Dua mamin, dua mamin’. Nga duart i kishte fluturuar edhe Rajani.

Kur folët ju për herë të fundit me nipërit tuaj?

Atë pasdite në kamerën e celularit. Fëmijët po luanin dhe Evisa më tha: ‘Babi jemi kënaqur se i kemi shokë shumë të mirë këta këtu’. Më dërgoi foto e video. Ja Ajseli sa e bukur… (qan).

Çfarë meraku keni për vajzën?

Unë e ime shoqe kemi barrën e rëndë që të sjellim vajzën në vete. Ne jemi të dy pensionistë. E kam peng që nuk u kujtua njeri nga shteti, të vijë e të takojë këtë nënë që humbi të gjithë familjen. Ime bijë do kohë të rehabilitohet fizikisht. I bëj apel shtetit që ta dërgojë për kurim jashtë vendit që të bëjë operacion plastik.

Kush e ka vizituar vajzën gjatë kësaj kohe në spital?

Ka ardhur prifti i Velipojës, Dom Marjan Gega. Vetëm ai e ka vizituar dhe nuk di si t’i shpreh falënderimet e mia më të mëdha. Ai më kërkoi të dilja jashtë e ka folur gjatë me vajzën. E ka ndihmuar shumë vizita e tij, se prej kësaj vizite shikoj që Evisën ka besim se do të shërohet.

Po mjekët në Durrës?

I gjithë stafi i rri tek koka, i shërbejnë natë e ditë. Nuk kam çfarë të them, pasi janë mjekë të mrekullueshëm, që po bëjnë të pamundurën për ta shëruar sa më parë.

Nuredin, si janë njohur vajza juaj dhe ish-dhëndrin?

Janë njohur në Itali dhe atje janë dashuruar me njëri-tjetrin. Vajza këtu mbaroi të mesmen për gjuhë të huaja, por nuk e vazhdoi universitetin. Unë e nisa në Itali tek të dy vëllezërit. Rrinin të tre fëmijët bashkë. Atje është njohur me Mondin. Ai ishte katolik dhe ne myslimanë, por kjo nuk përbënte problem për ne. Në Itali lindi mbesën e madhe, Noemin. Edhe dhëndri ishte emigrant në Rimini. Djali, Arturi na bëri dokumentet, ndaj dhe unë me gruan ikëm në Itali. Noemin e kemi rritur ne. Ishte pika jonë e dobët, vogëlushja e gjyshit.

Kur u kthyen nga Italia familja e Evisës?

Para më shumë se një viti. Ajseli ishte e vogël. Të dyja vajzat u rritën së bashku me fëmijët e djalit, Arturit. Tha-në që do ikim në Shqipëri, se atje kemi njerëzit tanë. Dhëndri ishte punëtor. Shtëpinë e bleu në qendër të Velipojës tek një kompleks pallatesh të reja. Hapi një lokal pranë bregut të detit dhe punonin në verë. Këtu lindi Rajanin. I vogli i gjyshit, që ishte si topçe i shëndoshë.