Çfarë do bëhet me pensionet e shqiptarëve në Itali?

83
0

Zv/presidenti i Shoqatës së Diasporës në Itali Dritan Trimçe ka folur për pensionet e shqiptarëve në Itali. Ai deklaroi se duhen 20 mln euro nga pala italiane për t’i futur shqiptarët në regjimin e pensioneve, shifër kjo që sipas tij është e papërfillshme në raport me buxhetin vjetor të këtij sektori.

“Nga ana e palës shqiptare nga viti 1991, nuk është marrë në konsideratë kjo çështje. Numri i shqiptarëve në Itali është shumë i madh por sipas deklaratave që ka bërë zv/presidentja e Insit ka thënë që duhen 20 mln euro për t’i futur shqiptarët në regjimin e pensioneve. Këto janë 0.2% e buxhetit të Insit. Si e kemi shtruar ne problemin?

Ne kërkojmë që të njihen të drejtat e punonjësi dhe të drejtat civile të qytetarit. Shteti italian ka detyrim të mbrojë qytetarin e vet. Nga ana ligjore kjo mund të zgjidhet fare thjeshtë, Njëra rrugë është ajo e marrëveshjes bilaterale mes dy vendeve, Nëse dy palët nuk bien dakord, çdo shtet vepron ashtu si do vetë”, deklaroi ai në Abcnews.

Trimçe tha se është hera e parë që një kryeministër shqiptar flet për këtë situatë duke e quajtur një hap pozitiv për zgjidhjen e këtij problemi. Ai tha se në rast se nuk do ketë hap konkret në ditët në vijim, shqiptarët në Itali kanë planifikuar protestë para kryeministrisë italiane brenda këtij viti.

“Është hera e parë që dëgjoj që një kryeministër shqiptar flet për këtë punë me një kryeministër italian. Fati jo i mirë i joni asnjë nga këto palë nuk bëjnë deklarata për mbledhjet dhe takimet që bëhen që ne të dimë se si do veprohet më tej. Dëgjojmë thashetheme por nuk janë për t’u diskutuar.

Kemi planifikuar një protestë brenda këtij viti para zyrave të kryeministrisë së qeverisë italiane. Deri tani në Shqipëri kemi vepruar si grup dhe merremi vetëm me pensionet. Me zgjidhjen e këtij problemi do të shpërbëhemi. Me Shqipërinë jemi marrë vetëm me e-maile. Po luftojnë edhe grupe të tjera nga Italia që merren edhe me këtë punë. Po përpiqen me njohjet dhe mundësitë që kanë. Uroj që të paktën të marrim përgjigje nga sistemet burokratike të dy qeverive”, theksoi Trimçe.