Boris Johnson premtoi amnisti për emigrantët, avokati shqiptar në Britani tregon kush përfiton

2495
0

Javën qe shkoi, kryeministri britanik Boris Johnson premtoi se shumë shpejt do të marrë një vendim për emigrantët që jetojnë në Britani, duke u shprehur se ka ardhur koha që të gjithë që jetojnë në mënyrë të paligjshme, pa dokumente, por që nuk kanë shkelur ligjin, duhet të përfitojnë nga shteti dhe të mos jetojnë në mënyrë ilegale.

Amnistia për emigrantët është një vendim që do të prekë dhe mijëra shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Britaninë e Madhe, por që janë të privuar nga shumë të drejta si pasojë e mungesës së dokumenteve.

Idenë e amnistisë Johnson e ka mbështetur që në të kaluarën, si një politikan që njihet më liberal se shumë prej kolegëve të tij konservator për sa i përket emigracionit.

Naim Hasani, avokat në Gjykatën Supreme në Britaninë e Madhe tregoi në “Wake Up” kush përfiton nga amnistia. Ai bëri të ditur se në Britaninë e Madhe jetojnë afërsisht 100-120 mijë shqiptarë.

“Deklaratat e Boris Johnson janë pak të vonuara me thënë të drejtën, sepse zoti Johnson ka qenë një avokat i mirë i emigrantëve dhe dhënies së një amnistie për emigrantët e paligjshëm qëkur ishte kryebashkiak i Londrës.

Jemi në një situatë ku fuqia punëtore nga Bashkimi Europian po shkurtohet masivisht, në mënyrë drastike. Prandaj qeveria britanike kërkon të gjejë fuqi punëtore. Shpresoj që kryeministri Johnson ta kalojë në ligj dhe t’u jepet drita jeshile shqiptarëve dhe të gjithë emigrantëve që jetojnë në Britani.

Zoti Johnson e ka thënë shumë qartë, përfitojnë personat që janë sjellë mirë, të mos kenë rekorde kriminale, të kenë disa vite që jetojnë në Britani, mund të jetë 5-10 vite. Ajo që është e rëndësishme është si do ta provojnë ata që kanë jetuar ilegalisht në Britani që nuk kanë asnjë lloj dokumenti si punojnë dhe jetojnë.

Kriteret do të jenë shumë të sakta, e dinë që njerëzit nuk kanë evidenca. Mund të jenë ata që u është refuzuar azili ose ata që kanë aplikuar për leje qëndrimi me martesa, por u është refuzuar”, tha avokati.