Bleu shtëpi 232 mijë euro dhe u largua nga qendra e Tiranës, Ministri Majko zbulon arsyen

555
0

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko me një postim në Facebook ka reaguar në lidhje me deklaratën e tij te pasurisë.

Në këtë të fundit tregohej se Majko kishte ndërruar banesën duke e shitur atë që kishte në qendër të Tiranës.

Ministri ka theksuar se banesa qe ka shitur në qendër të Tiranës, e ka mbuluar vlerën e shtëpisë që ka blere, duke iu referuar lajmeve te publikuara per blerjen e banese me vlere 232 mije euro.

Majko tregon se qëllimi i kësaj lëvizje ka qenë siguria e familjes së tij dhe jo për të bërë biznes.

Ai shton se një agjenci mike për çështjet e sigurisë i ka sugjeruar që të lëvizte nga banesa ku jetonte prej vitesh për të shkuar në një zonë tjetër përtej Unazës së Madhe.

“Sipas artikullit kisha shitur një shtëpi për 20 mijë euro(!) dhe kisha blerë një tjetër 232 mijë euro… Duket qartë që ka pasur mungesë të verifikimit të dokumentave ligjore. Qartazi, vlera e shtëpisë së shitur në qendër ka mbuluar vlerën e shtëpisë së blerë përtej unazës së madhe të kryeqytetit. Shtëpinë ku banoja më parë nuk kam pasur ndërmend ta shes.

Ndryshimi i banesës ndodhi thuajse para një viti. Arsyeja e vetme për ta ndryshuar shtëpinë nuk është “biznesi” por ishte siguria e familjes pas kërkesës nga agjenci mike. Kjo e fundit është një fakt i cili është publikuar”- sqaron Majko.