Bileta e urbanëve 80 lek, Shoqata e Transportit:  Është rritur çmimi i naftës!

109
0

Shoqata e Transportit Urban kërkon që bileta të dyfishohet deri në 80 lek. Kjo është e vetmja mënyrë që ata të shpëtojnë nga falimentimi dhe t’ju shërbejnë ende qytetarëve, kanë thënë përfaqësuesit e Shoqatës.

Sipas tyre, çmimi i naftës është rritur dhe në këto kushte ata kërkojnë që të rritet çmimi i biletës.

“Më rëndësishmja që kërkohet është rritja e çmimit të biletës. Kjo për shkak se do t’i jepte një mundësi që të kishim një transport publik në Shqipëri. Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë është llogaritur nga ekspertët tanë diku te 80 lekë për biletë një përdorimëshe.

Në këtë formë ne do t’i japim një mundësi transportit që t’u shërbejmë qytetarëve dhe të mos kapitullojmë totalisht. Edhe kur ishte kryetar bashkie Rama dhe Basha, është llogaritur që çmimi i biletës të ishte diku te 50 lek për biletë. Deri atëherë çmimi i naftës është dyfishuar, natyrisht në proporcion të kësaj kemi kërkuar dhe çmimin e biletës”, u shprehën përfaqësuesit e Shoqatës.

 Kujtojmë se, që prej nisjes së luftës në Ukrainë çmimi i naftës dhe gazit ka njohur rritje në të gjitha bursat ndërkombëtare. Në shumë shtete, karburanti është rritur me disa lekë, e po ashtu në vendin tonë. Por në Shqipëri çmimi i naftës pati një rritje galopante, që në ditët e para kur nafta sapo nisi dhe efekti i rritjes së çmimeve nuk kishte filluar ende.