BE shtyn vendimin per rihapjen e kufijve me Shqipërinë. Kushti që vendi ynë nuk e plotëson

1520
0

Bashkimi Evropian pritet qe të rihapë kufijtë e saj në 1 korrik, por kjo hapje nuk do të thotë detyrimisht kthim në normalitet të lëvizjes së lirë në këtë periudhe pandemie të Covid-19. Një vendim zyrtar nuk është marrë ende. Ai është shtyrë pasi vendet anëtare janë duke diskutuar se si do të realizohet hapja e kufijve dhe çfarë është më e rëndësishme, me cilat vende BE do të riaktivizojë lëvizjen e lirë.

Komisioni Evropian, në rekomandimin e tij, përfshiu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. “Në bazë të check-listës, Komisioni rekomandon heqjen e kufizimeve të udhëtimit edhe për Shqipërinë, Bosnje Hecegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke filluar që nga 1 korriku, duke parë se situata e tyre epidemiologjike është e ngjashme ose më e mirë se e Bashkimit Evropian. Kjo masë shpreh edhe gatishmërinë e Komisionit për të përafruar rajonin e Ballkanit Perëndimor me zbatimin e masave të ngjashme të kontrollit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komisionit Evropian.

Por ky është vetëm një rekomandim dhe përfaqësues të vendeve anëtare që mbulojnë çështjet e brendshme të BE-së, janë mbledhur të mërkurën për të shprehur qëndrimet e tyre, pa dalë në një konkluzion. Mbledhja e të enjtes u shty pa një vendim. Për këtë arsye, çështja pritet të rishqyrtohet të premten në një nivel më të lartë të diplomateve evropian, në Coreper 1.

Në Bruksel, u mësua se pavarësisht se propozimi i Komisionit është hapja me Ballkanin Perëndimor, vendet anëtare ngurrojnë dhe po shqyrtojnë kriteret që sigurojnë që vendet evropiane të mos përballen me valë të dytë të Covid-19 të ardhur nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit.

Për të vendosur një vend, apo një rajon në listën e sigurt të udhëtimit, Bashkimi Evropian ka si kriter që ky vend nuk duhet të ketë më shumë se 16 raste të reja përgjatë dy javëve të fundit për 100 mijë banorë, dhe kjo bazuar në një mesatare testesh prej 10 mijë teste për 1 milion banorë për periudhë dyjavore, në mënyrë që shifrat të jenë të besueshme. Është e qartë se Shqipëria nuk e plotëson këtë kusht sepse ajo bën vetëm rreth 300 teste në ditë ose më pak se gjysma e sasisë së kushtëzuar, në dy javë.

Shqipëria ka patur një numër të shtuar të rasteve në muajin qershor, krahasuar me tre muajt paraardhes, mars, prill dhe maj.

Edhe në rast se BE do të vendosë rihapje kufijsh, në rastin e Ballkanit Perendimor, ky vendim për heqjen e kufizimeve me vendet e treta, mes tyre Shqipëria, mund të shoqërohet me vendimin e secilit vend se me cilat shtete të rajonit tonë do të mbajë të hapur ose të mbyllur kufirin, apo çfarë kriteresh do të vendosë për hyrjen e shtetasve nga këto vende.

Vendet anëtare që vendosin kanë të drejtë të bëjnë ndryshime dhe korrigjime mbi vendimet e Komisionit dhe burimet nga takimi, thanë se kriteri kryesor mbi tavolinë është ai i rasteve të reja dhe testimeve, kriter që Shqipëria nuk e plotëson.

Vendimet individuale si shtete kanë nisur. Sllovenia njoftoi dje se ndalon hyrjen e shtetasve shqiptarë. Kurse Kroacia ndaloi sot hyrjen e shtetasve të Kosovës e Maqedonisë.

Nga rregulli përjashtohen të gjithe shtetasit që janë rezidedentë në shtetet e BE-së, të cilët do të lejohen të levizin, por duke zbatuar kriteret që ka secili vend ku ata po qëndrojne në momentin e mbërritjes së tyre.