Basha shpall 2 kushte për Ramën

694
0

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha sot pas një takimi me aleatët se nuk mjafton vetëm largimi një orë e më parë i Edi Ramës, por edhe hedhja e hapave të tjerë të fortë pasi vendi dhe qytetarët janë në një situatë mjaft të rëndë dhe të tmerrshme.

Basha tha se opozita është gati të ofrojë një platformë kombëtare për daljen e vendit nga kriza. Kjo platformë sipas tij do të bëhet publike në javët e ardhshme.

Kreu i PD foli edhe për protestat, por tha se një datë do të jepet në të ardhmen.

I pyetur nëse PD dhe aleatët kanë diskutuar një datë për rikthimin e protestave, Basha tha: “Pa diskutim që po, por opozita është shumë më shumë se një grup që organizon protesta, është alternativa, qeverisja e së nesërmes. Një gjë ju garantoj sikundër dhe më parë, sapo të kemi një datë për protestë do e shpallim”.

Më tej ai foli për situatën aktuale në vend: “Ndodhemi para një momenti kyç, jo vetëm për atë që ka ndodhur por edhe atë që pritet të ndodhë. Në më pak se një muaj e gjysmë KiE do të gjykojë përsëri nëse do t’i hapë apo jo negociatat me Shqipërinë”, – tha Basha.

Sipas tij, të gjithë e kanë kuptuar që kjo ishte një gënjeshtër nuk janë hapur dhe negociatat nuk kanë shans të hapen me një Shqipëri që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme.

Prandaj, – shtoi ai, – ky është momenti që secili të marrë përgjegjësitë e veta.

“Ne si opozitë jemi gati të ofrojmë dhe një platformë kombëtare për hapat që duhen të hidhen për daljen e vendit nga kriza sepse gjendja është kaq e rëndë dhe pasojat e kësaj gjendjeje janë kaq të tmerrshme mbi njerëzit sa largimi i Ramës një orë e më parë nuk mjafton” – njoftoi Basha dhe evidentoi dy kushtet për kryeministrin dhe kreun socialist:

“Duhet të kemi hapa të vendosur transformues për vendin. Ndryshime të thella politike dhe ndryshime të thella zgjedhore”.

Duke u ndalur te plani për një reformë të thellë zgjedhore, Basha foli për “ndryshime të thella sa i përket shtetit të së drejtës ku t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe të mos varrosen çështje të rëndësishme si ajo nr 184, apo siç është çështja 339, por të shkojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë cenuar vullnetin e shqiptarëve sepse është për shkak të tyre, këtij recidivizmi që Shqipëria ka ardhur në këtë moment shumë delikat siç konstaton dhe raporti i OSBE-ODIHR”.