Basha përjashton Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD, reagon Berisha: Te shkarkohet Basha, i bëri GJËMËN PD-së!

130
0

Kryedemokrati Lulzim Basha ka marrë një vendim të papritur pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Partisë Dmeokratike.

Në një deklaratë për mediat, ai ka komunikuar se Sali Berisha nuk do të jetë në Grupin Parlamentar të PD-së, të paktën derisa të zbardhet e plotë çështja e tij me Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Kam patur fatin dhe përgjegjësinë të drejtoj PD-në dhe të përballem me sfida, vendime të forta dhe kosto politike dhe personale. Gjatë këtij rrugëtimi ka patur momente të bukura dhe të vështira. Kam bërë gjithçka që të kem si udhërrëfyes interesat e PD-së dhe Shqipërisë. Jo gjithmonë ia kemi dalë që me vendimet tona të arrijmë atë që kemi dashur, atë që i është dashur Shqipërisë dhe demokratëve. Kjo nuk na ka lëkundur asnjëherë për të realizuar misionin e PD-së, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Për fat të keq, kur të gjithë ne prisnin që gishti i përgjegjësisë të drejtohej drejt Edi Ramës, autorit të masakrës zgjedhore të 25 prillit, që e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro, të gjithëve bashkë na u desh të njiheshim me vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Ky ishte një nga momentet më të vështira për mua si kryetar i PD, por edhe si një bashkëpunëtor i afërt i zotit Berisha. Jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson për mua apo çdo demokrat Berisha, por unë jam i vetëdijshëm se sa rëndësi ka patur për Berishën mbrojtja e shtetit shqiptar.

Edhe kur u njoha me vendimin e DASH, iu bashkova thirrjes për transparencë të plotë. Sali Berisha është udhëheqësi që ka dhënë kontributin më të çmuar për forcimin e demokracisë dhe që çoi miqësinë me SHBA në nivelet më të larta. Gjatë kohës që ai ishte kryeministër, Shqipëria përmbushi gjithë reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO dhe marrjen e statusit kandidat. Partner kyç i qeverisë shqiptare ishin SHBA.

Vendimi i SHBA nuk cënon arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e Berishës, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të PD me SHBA. PD mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga zoti Berisha, të kërkuar edhe në rrugë gjyqësore. Nga ana ime, prej 2 muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje. Partneriteti i PD me SHBA është i pacënueshëm dhe do të duhet të vijojë të mbetet i tilë në interes të Shqipërisë.

Ne i kosniderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishë. Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjoë shtë çështje personale e tij ku PD nuk duhet të përfshihet. Për të shmangur çdo keqkuptim kam vendosur: Deri në përfundim të zbardhjes së plotë të kësaj çështje, zoti Berisha nuk do jetë anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo do shmangte keqpërdorimin e çështjes”, tha Basha ndër të tjera.

Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të PD për ta përjashtuar nga grupi Parlamentar.

“Vendimi është jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji. Një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare nuk mund ta marrë. E kuptoj presionin por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij sesa sovranitetin e PD. Bëri ata që nuk bëri Celibashi. Asgjësoi PD si parti sovrane. Jam i sigurt se e kanë kërcënuar me sanksione. Por nuk më intereson fare. Nuk i është bërë goditje Sali Berishës, por partisë politike. Unë kuptoj presionin e madh që Rama ka bërë ndaj zotit Basha.

Por njeriu ndodhet para rrethanave që nuk pranon kurrë që të asgjësojë forcën politike. Përpara një vendimi të tillë Basha duhet të mblidhte Kongresin e PD-së, të ndryshonte statutin dhe të vendoste një nen në të cilin të sanksionohej përjashtimi i personave që dezinjohen non grata nga SHBA apo ndonjë vend tjetër. Ky nen nuk ekziston. Ai shpalli një vendim që është nul. Sepse është i tiji dhe asnjë forumi të PD”, tha Berisha.