Ambasadorja amerikane në Shqipëri jep mesazhin e parë: Gati t’i përvishem punës..

694
0

Ambasadorja e re e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ka dhënë mesazhin e saj të parë në cilësinë e kryediplomates. Siç njofton ambasada, Kim tha se ndihet e nderuar që është në Shqipëri dhe është e gatshme t’i përvishet punës.

“Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim në ditën e saj të parë në Ambasadë”, shkruan ambasada amerikane.

Ambasada e SHBA ndërkohë, ka publikuar edhe një biografi të përmbledhur të ambasadores Yyri Kim, që pason në këtë detyrë Donald Lu.

Biografia e publikuar nga Ambasada

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020.

Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë ka qenë shefe e Kabinetit e zëvendës sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë.

Më herët në karrierën e saj, ka qenë ndihmëse e Posaçme e sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe ndihmëse e Posaçme e ndihmës sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën.

Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.

Kim mbërriti në Shqipëri këtë të mërkurë, trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit. Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori.