Alternativa investimi: Më mirë ta japësh shtëpinë me qira apo me AIRBNB?

1290
0

Nëse ke një shtëpi që synon ta japësh me qira në kryeqytet, alternativat e investimit janë shtuar, çka do të thotë janë rritur dhe mundësitë për të fituar më shumë. Krahas kërkesës nga studentët, apo të ardhurit nga rrethet, interesi i turistëve të huaj për Tiranën dhe Shqipërinë po zhvillon tregun e qirave ditore përmes portalit global që mundëson dhënien e shtëpive me qira.

Në faqen e AirBNB vetëm në qytetin e Tiranës numërohen mbi 324 apartamente të vëna në dispozicion për t’u lëshuar me qira. AirBNB është faqe online që iu mundëson njerëzve të lëshojnë apo të marrin në qira afatshkurtër ambiente si dhoma pushimi, apartamente me qira, shtëpi qëndrimi, hostels, apo dhoma hoteli.

Tendenca e lëshimit të shtëpive nëpërmjet portalit AirBNB nuk shikohet vetëm në kryeqytet, por edhe në disa prej qyteteve kryesore turistike të vendit. Durrësi, Shkodra dhe Vlora numërojnë mbi 300 oferta të prezantuara në portal.

Juliana Nela nga Century 21 tregon se ka pasur një tendencë në rritje të individëve të cilët  lëshojnë shtëpitë me qira ditore në AirBNB. Çmimet për qira ditore në AirBNB varjojnë nga 10 dollarë nata deri në 200 dollarë. Gjithashtu një përparësi është fakti se kur lëshon ambiente me qira në AirBNB, individët nuk kanë më detyrime ndaj shtetit për të paguar tatim në burim, por vetëm duhet të paguajnë një tarifë regjistrimi në faqe.

Të shumtë janë ata individë të cilët kanë menduar që të përfitojnë prej fluksit të turistëve duke shfrytëzuar hapësirat në rrjet. Teknologjia është një ndër faktorët nxitës të turizmit, por që po shfrytëzohet  më së miri nga investitorët në pasuri të paluajtshme.

Sipas të dhënave në faqe, ofertat më të shumta në kryeqytet luhaten nga 15 deri në 58 dollarë. Lëshimi i ambienteve me anë të AirBNB duket se është një mënyrë e mirë, pasi siç shikojnë nga të dhënat në faqe vetëm për muajin janar (datat e vetme që janë të shënjuara nga portali) ka më shumë mundësi për rezervime, ndërsa për muajt nëntor dhe dhjetor, një pjesë e mirë janë të rezervuara në avancë.

Sipas të dhënave që raporton vetë AirBnb për sa i përket çmimeve, Shqipëria është ndër destinacionet më të lira në rajon dhe jo vetëm.

 

Si të lini pronën tuaj me qira në Airbnb dhe të përfitoni para nga turistët lehtë

Së pari duhet të krijoni një llogari në faqen  e AirBNB-së, plotësoni me detaje të dhëna për apartamentin tuaj sipas të dhënave në faqen zyrtare të ardhurat mesatare mujore janë 77 euro.

Pas regjistrimit duhet të plotësoni të dhëna të detajuara mbi apartamentin, mënyrën e lëshimit me qira, si dhe të bëni foto sa më të qarta të tij dhe më e rëndësishmja të jepni çmimin për netë qëndrimi.

Pas regjistrimit të pronës në faqe do të merrni mesazhe nga të interesuarit apo konfirmime të rezervimeve.

AirBNB merr një komision prej 3 për qind ndaj qiradhënësve dhe i jep paratë qiradhënësve 24 orë pasi qiramarrësi ka bërë check-in.

 

AirBNB apo qira tradicionale

Individët që kanë filluar të investojnë në pasuri të paluajtshme për t’i lënë me qira janë në dilemën se cila do të jetë mënyra më e mirë për të nxjerrë të ardhurat maksimale nga një pronë.

Me avantazhet dhe disavantazhet që ka, AirBNB është një mundësi. Çmimet e qirave, në varësi të pronës, kushteve, afërsisë me qendrën  çmimet variojnë nga 10 deri në mbi 200 euro. Megjithatë çmimi mesatar për një natë përllogaritet të jetë në 30 euro nata.  Duke marrë në konsideratë se vetëm gjysma e ditëve të muajit do të jetë e zëne, të ardhurat mesatare mujore do të jenë 450 euro. Megjithatë norma e ditëve të zëna është dhe me e lartë bazuar dhe në të dhënat e portalit që tregojnë se për dy muajt në vijim një pjesë e madhe është e rezervuar.

Tirana, përveç se qendër turistike, është dhe qendër universitare, ku kërkesa nga studentët mbulon një pjesë të mirë të tregut të qirave. Por edhe dhënia me qira e studentëve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Studentët konsiderohen nga qiradhënësit si të paqëndrueshëm, të rrëmujshëm dhe në përgjithësi gjatë muajve të verës prishin kontratat me qiradhënësit. Qiratë mesatare për apartamente të mobiluara mirë në Tiranë luhaten mesatarisht nga 250 deri në 350 euro (jo në zonat elitare), ndërsa qiradhënësit përllogarisin një periudhe prej 2-4 muaj që shtëpia mund të mbesë bosh në rast se ua lëshojnë studentëve.

Avantazhi me shtëpitë me qira fikse, thonë ekspertët e pasurive të paluajtshme, është se e ke të ardhurën e garantuar, ndonëse ajo është më e ulët sesa në rastin kur e jep me qira ditore. Në të kundërt, nëse shfrytëzon AirBNB të ardhurat janë më të larta, por rrezikon që të mos i kesh të përhershme.