Akti prekës/ Peqin, familja e varfër i dhuron fqinjit të pasur qingj për Kurban Bajram por…

1504
0

Akt vërtet prekës i një familje të varfër në fshatrat e Peqinit. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, familja ka vendosur ti bëjë dhuratë një qingj fqinjit të saj të pasur.

E. Tabaku me banim në Karthnek, ka dashur ti shprehë mirënjohjen e thellë Xh. Tabakut fqinjit të tij të pasur pasi prej vitesh e kishte ndihmuar atë në të keq e në të mirë duke i dhënë gjithçka, veshmbathje, miell, para etj.

I moshuari 69 vjeç nuk ka pasur asnjëherë mundësi që t’ia shpërblente fqinjit të tij ndihmën e dhënë. Por gjithnjë ishte lutur në Allah që t’ia shpërblente atij. Dhe në fakt Xh. Tabakut gjithnjë i ka ecur në jetë, transmeton infoelbasani.al.

Por sivjet ai kishte menduar që t’ia shpërblente mirësinë. Ndaj që kur ka lindur një nga delet e ka taksur qingjin për fqinjin e tij. E ka rritur me kujdes dhe ka pritur festën e Kurbanit. Kur duhen edhe pak ditë që të festohet kjo festë ai ka shkuar me qingjin në krah tek fqinji dhe e ka thirrur në oborr. Fqinji është befasuar kur e ka parë me qingjit të lidhur prej katër këmbësh. “Ta kam dhuruar për Kurban Bajram për gjithë të mirat që më ke bërë”, i ka thënë i moshuari burrit. Ky veprim e ka prekur shumë Xh. Tabakun i cili i ka thënë se nuk ishte nevoja pasi deri më tani e kishte ndihmuar me gjithë zemër pasi në jetë kishte parë tek ai vlerat e një njeriu të drejtë e të ndershëm. Megjithatë nuk ia ka prishur. E ka mbajtur qingjin dhe do ta bëjë kurban për festën e Bajramit.

Xh. Tabaku e ka ndarë me në këtë histori vëllazërore dhe mirënjohjeje që në fakt përbën një mesazh me aq vlerë sot. Gjithashtu ai na tha se për vitin në vazhdim ka ndërmend që ti ndërtojë një dhomë dinjitoze çiftit të moshuar duke ia kompletuar edhe brenda që të kalojnë sa më rehat vitet e pleqërisë. Infoelbasani.al