Jeta e saj nuk ka qenë aspak e lehtë. E keqtrajtuar nga ata që duhet ta mbronin, familja e saj, Jeta sot 48-vjeçare ka treguar për “Kam një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, kalvarin e gjatë të vuajtjeve të saj.
Ajo ka treguar se fëmijëria e saj nuk ka qenë e lehtë, por vështirësitë u bënë më të mëdha pas martesës. Jeta u martua dy herë nga prindërit e saj pa dëshirë. Herën e parë ishte vetëm 19 vjeçe, me një burrë i cili e keqtrajtonte, madje keqtrajtimi nuk vinte vetëm nga ai, por edhe nga vjehrra dhe vjehrri i saj, për këtë arsye kur ngeli shtatzënë vendosi të kthehej në shtëpinë e prindërve. Pas shumë konflikteve me nënën e saj, atë e martuan për herë të dytë. Këtë herë ajo u bë me dy vajza të tjera.
Ajo ka treguar se burri i saj i dytë me të cilin kishte 20 vite diferencë, së bashku me burrin e motrës së saj kishin bërë plane që ta dërgonin në Itali me qëllim që kjo të punonte në rrugë. Jeta ka treguar se ajo ia doli të shpëtonte nga kjo situatë, por gjithsesi u largua për në Itali në mënyrë që të mund të mbante veten dhe vajzat e saj.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi me jetën tënde, u martove, linde edhe dy vajza të tjera. Ndërkohë Luljetën e more me vete?
Jeta: Jo nuk e mora se nuk ma la babi. Më tha këtë vajzë do e rris vetë. Unë gjeta dhe dy atje dhe i kam rritur unë.
Ardit Gjebrea: E kuptova, domethënë ti rrite dy vajzat e tua dhe dy vajzat e bashkëshortit tjetër.
Jeta: Po, por ky i dyti më trajtonte keq. Kishte edhe dorë.
Ardit Gjebrea: I dyti?
Jeta: Po
Ardit Gjebrea: Të godiste?
Jeta: Po, pinte shumë dhe më godiste. Njëherë rrahu babin, sa ka ardhur policia në Patos. Se ai ikte në plazh e më linte fëmijët pa ngrënë.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti më pas shkove në Itali?
Jeta: Po shkova në Itali, por nuk e dija ku do përfundoja.
Ardit Gjebrea: Ti shkove me gjithë bashkëshortin?
Jeta: Jo, në fillim kam ikur vetëm. Ne e bëmë muahabet që do shkoja me vajzën time të madhe, me Luljetën. Kur vjen ky që kishin bërë muhabet, një mik i familjes, ata kishin menduar që unë të përfundoja në rrugë. Ai të pinte raki këtej dhe unë të laja borxhet e tij.
Ardit Gjebrea: Si të përfundoje në rrugë?
Jeta: Të punoja në rrugë.
Ardit Gjebrea: A, të punoje në rrugë në Itali?
Jeta: Më ka ndihmuar një nuse nga Lushnja që se harroj sa të jem gjallë, e kam bërë motër dhe nuk jam kthyer më. I thashë dua të kthehem në Shqipëri. Më tha ti e prishe familjen nuk ke pse kthehesh.
Ardit Gjebrea: Si shkove në itali?
Jeta: Kam kaluar me makinë, por kam kaluar në bagazh.