A do të shtrëngohen masat për fundvitin? Ja si pergjigjet Ministrja e Shëndetësisë

192
0

Varianti Omicron i COVID dhe afrimi i festave të fundvitit ka bërë që shumë vende në Europë, por edhe botë të shtrëngojnë masat anti-COVID. E pyetur nëse do të merren masa të tilla edhe në vendin tonë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se situata po ndiqet në mënyrë dinamike. Ajo theksoi se ky është një vendim që do duhet të merret duke vlerësuar edhe indikatorët e tjerë të situatës së pandemisë në vendin tonë, teksa shtoi se duhet patur kujdes për marrjen e masave, duke rivlerësuar ato që janë në fuqi.

“Dua të them që vendimet merren nga komiteti i ekspertëve. Situata po ndiqet në mënyrë dinamike. Duhet të jemi të kujdesshëm për masat duke rivlerësuar masat që kemi”, tha ministrja.

Edhe një herë, Manastirliu theksoi se e vetmja armë kundër COVID dhe varianteve që qarkullojnë është vaksina, duke i bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen. Ministrja theksoi se qeveria nuk do të ndalet deri në vaksinimin e çdo qytetari.

“Esenciale është vaksinimi si armë që kemi kundër virusit apo edhe varianteve që qarkullojnë siç është edhe Omircon. Priten informacione nga institucionet ndërkombëtare për të parë sa i rrezikshëm është ai. Vaksina është arma që ne kemi. Jemi sot këtu edhe për të vijuar fushatën e vaksinimit duke synuar që vaksinimi të shtrihet sa më shumë te të rinjtë. Shqipëria ka një mbulesë vaksinale që po rritet dita ditës. Është situatë e qëndrueshme e vaksinimit në Shqipëri. Ne nuk do të ndalemi derisa çdo qytetar të jetë i mbrojtur përmes vaksinimit. Fushata e vaksinimit ka disa nivele të operimit. Jemi në një nivel të ri. Prej disa muajsh jemi derë më derë për qytetarët që nuk kanë mundur të shkojnë për t’u vaksinuar. Shëndeti qëndron në majë. Qeveria shqiptare ka siguruar dozat e vaksinave për popullatën dhe ne po ecim me hapa të qëndrueshëm”, tha ajo.

Manastirliu i bëri këto deklarata teksa inspektoi qendrën e vaksinimit në Kukës.