Ndryshon Sigurimi i makinave / Ligji i ri: Kush bën aksidente, mosha, eksperienca..

181
0

Prej 1 janarit të vitit 2025 drejtuesit e automjeteve do të paguajnë tarifa të reja dhe jo të njëjta për të gjithë bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme apo aksidente.

Kjo rregullore e re eshte miratuar nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare “për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Rregullorja përcakton qartë se shoqëria e sigurimit për kategorinë autovetura, përllogarit primin e sigurimit bazuar në faktorët e riskut, si: historiku i dëmeve, fuqia motorike e mjetit, mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit: subjekt, individ; qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e mjetit.

Në rregullore parashikohet që mund të zbatohen edhe faktorë të tjerë risku, përveç atyre të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja.

Nga ana tjetër, shoqëritë e sigurimit gjithashtu duhet të mbajnë të afishuara në çdo pikë shitjeje tabelat me primet e sigurimit, të miratuara gjatë periudhës së zbatimit të tyre. Rregullorja e re e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare do të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit të ardhshëm.