“Ndodhi aksidentalisht”, zbardhet dëshmia e 40-vjeçarit që shtyu për vdekje te shkallët të atin

613
0

Është zbardhur dëshmia e Klement Islamajt, i cili shtyri për vdekje te shkallët të atin, pasi ky i fundit i kishte vrarë nënën.

Para uniformave blu ai është shprehur se ngjarja ka qenë aksidentale dhe se nuk kishte ndërmend ta vriste babain e tij, Hysen Islamajn 69 vjeç.

Hysen Islamaj, gjatë një debati me bashkëshorten Shano Islamaj, ka marrë sëpatën dhe e ka qëlluar disa herë këtë të fundit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në shtëpi ndodheshin dy të moshuarit dhe mbesa, vajza e Klementit, sepse ky i fundit kishte dalë në një nga lokalet e fshatit për të pirë kafen e mëngjesit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07.00 të mëngjesit të sotëm.

Menjëherë, vajza e 40 vjeçarit ka marrë celularin dhe ka telefonuar të atin, duke i kërkuar të shkonte në shtëpi sepse gjyshi kishte vrarë gjyshen. I tronditur nga telefonata dhe ajo se çfarë i tha e bija, Klement Islamaj ka shkuar me vrull në shtëpinë e tij në fshatin Shalës të Konispolit dhe aty ka parë nënë e pajetë.

Ai ka nisur të debatojë me babain, shtetasin Hysen Islamaj dhe në gjaknxehtësi e sipër e ka shtyrë atë nga shkallët e ballkonit. Bëhet fjalë për katër ose pesë shkallë, dhe për pasojë 69 vjeçari ka ndërruar jetë.