Trafikoi 1.1 ton drogë në Turqi, arrestohet ‘Eskobari shqiptar’

726
0

11 shqiptarë janë arrestuar në Turqi pasi bënin trafikim e kanabisit nga Shqipëria, në Greqi dhe më pas drejt Turqisë. 1.1 ton ka sekuestruar Policia e qytetit të Bodrumit në Turqi dhe këto janë pamjet e operacionit të zhvilluar nga sektori narkotikëve.

Vlera e drogës së sekuestruar është më shumë se 5 milionë euro. Mes personave të arrestuar është edhe Met Kanani (ndryshe njihet edhe si Met Metalli), që cilësohet në Turqi si njëri prej baronëve të mëdhenj të drogës, ndërsa mediat turke e quajnë “Ekskobari shqiptar”. Report Tv ka siguruar edhe foton e Met Kananit në një kodër të qytetit të Bodrumit. Ai ishte duke pritur sasinë e kanabisit dhe ky moment është fotografuar nga policia turke.

Pasi kalonte nëpërjmet Greqisë dhe më pas në Turqi, kanabisi depozitohej në një depo që përdorej si biznes uji. Sapo droga ka mbërritur në Turqi, Policia ka vendosur të ndërhyjë duke arrestuar Met Kananin dhe 10 persona të tjerë që ishin pjesë e grupit kriminal.

Sipas mediave në Turqi, Met Kanani është personi që ka tentuar të trafikojë në nëntor të 2017-së 1.6 ton kanabis që u kap nga Policia greke pas një përleshje në det. Ka qenë Met Kanani personi që dyshohet se ka tentuar të çojë në Greqi këtë sasi droge, ku njerëzit e tij janë përplasur me Policinë, aq sa u desh ndërhyrja edhe e një helikopteri nga ajri për të plagosur personat që ishin në bordin e anijes që po bënte trafikimin e kanabisit.

Pavarësisht se u kapën njerëzit e baronit të drogës në Turqi, Met Kanani nuk u arrit të arrestohej dot nga Policia greke në atë kohë. Mediat turke theksojnë faktin se Met Kanani, që njihet edhe me emrin Met Metalli, cilësohet si “baron i madh i drogës” pasi kontrollon edhe rrugët e trafikut të heroinës nga Afganistani, Irani dhe Turqia drejt Europës.

l.q.