“Më thanë ta bëja”, shqiptari në Itali qëllon 8 herë me thikë ish-pronaren e hotelit ku punonte

2759
0

Një 50-vjeçar shqiptar ka goditur 8 herë me thikë ish-pronaren e hotelit ku punonte. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës në hotel Gallo në Castel San Pietro, Itali. 50-vjeçari shqiptar, i cili kishte dhënë dorëheqjen nga hoteli pak më shumë se një muaj më parë, por që mbante marrëdhënie të mira me të gjithë, shkoi në hotel nga shkallët e pasme dhe goditi ish-pronaren.

Me thikën e marrë nga shtëpia, shqiptari tha: “Më thanë ta bëja”. Por arsyet e këtij sulmi mbeten mister pasi si personat më të afërt të familjes së gruas së sulmuar ashtu edhe punonjësit thonë me këmbëngulje se nuk ka pasur asnjëherë mosmarrëveshje, debate apo probleme financiare mes punëdhënësit dhe ish-punonjësit.

Një konfirmim i mëtejshëm i kësaj është fakti se kafeja e marrë nga shqiptari (dhe e servirur nga ish-pronarja) para sulmit ishte si zakonisht, sepse shqiptari kishte vazhduar të frekuentonte hotelin edhe në javët e fundit pasi kishte dhënë dorëheqjen madje duke biseduar me ish-kolegët.

Por është e sigurt se shqiptari mbërriti në hotel me një thikë, pra me qëllimin për të sulmuar. Të gjitha pyetjet për këtë ngjarje të rëndë do të marrin përgjigje vetëm pas marrjes në pyetje të shqiptarit, tashmë në burgun e Dozzës pas arrestimit nga policia për tentativë vrasje.