Edhe pse një numër i madh i mësimdhënësve janë duke u larguar nga Kosova, dikush ka vendosur që të rikthehet. Mësuesja Qëndresa Thaqi-Qelaj pas tre muajve qëndrim ka vendosur të rikthehet në Kosovë. Kjo pasi ajo nuk u përshtat me jetën në Gjermani.
Mes përqafimeve të shumta të nxënësve të saj u prit në shkollë. Të gëzuar u panë edhe prindërit e të vegjëlve. Për tre muaj mësuesja Qëndresë Thaqi-Qelaj nuk pati mundësi të kishte takime me ta.
Rrugëtimin e saj për afro 10 vjeçar në shkollën fillore “Dëshmorët e Greikocit” në fshatin Greikoc të Suharekës e ndërpreu në dhjetor.
Kjo pasi mësuesja e ciklit të ulët kishte vendosur që të marr rrugën e mërgimit dhe të fillonte një jetë të re në Gjermani. Por, jetën të cilën e nisi në këtë vend evropian nuk ishte ashtu siç e priti. Prandaj edhe vendosi të kthehej.
“Paraja nuk është gjithçka. Është shumëçka, por jo gjithçka. Thjesht më ka pengu kur u fol ajo gjuhë për mu ka qenë demotivim. Thjesht nuk gjetsha një arsye, u kon tmerr. Dikujt i doket kot, por njerëzit që e kanë provuar edhe janë kthye besoj më kuptojnë”, thotë ajo, për tëvë1.
Ani pse për tre muaj ishte larg fizikisht, kontaktet me nxënësit nuk i ndërpreu asnjëherë.
“Jam rrit me njerëz që kanë punuar në arsim dhe gjithnjë e kam dashtë si punë. Ndoshta si fëmijë i kam bo ato lojna si mësuese. Dhe normal, kur kam shku atje kontaktin me nxënës nuk e kam ndërpre. Më kanë thirr. Madje iu kam thënë edhe prindërve që të mos më thërrasin se u mërzitsha më shumë”, tregon ajo.
E dita kur vendosi të rikthehej ishte një nga ditë më të lumtura të saj.
Të lumtur me vendimin e mësueses janë edhe menaxhmenti i shkollës.
“Nxënësit e kanë pritur shumë mirë. Është një lajm pozitiv. Shpresojmë që edhe punëtorët e tjerë të rikthehen, nxënës, fëmijë e prindër, që marrin vendime të ngutura duhet të mendojnë mirë para se të lëshojnë këtë vend”, thotë drejtori i kësaj shkolle Bestar Beqiraj.
Mësuesja është e gatshme që të ia fillojë përsëri mësimit, por për këtë nga Komuna e Suharekës thonë se do të shikohen format ligjore.
“Kam disponim me rikthy por do të shikojmë format ligjore që na lejojnë për rikthim në shkollë”, shprehet drejtori komunal i arsimit, Remzi Bjaselmani.
Nga Komuna e Suharekës që nga 1 janari e deri me tani janë larguar 63 nxënës e dy mësimdhënës, ku 7 prej këtyre nxënësve janë rikthyer në Kosovë. /teve1/