Ngjarje e rëndë në Itali/ Shqiptari tenton të mbysë bashkëshorten

2370
0

Një 42-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet policore italiane pasi tentoi të mbyste bashkëshorten.

E gjithë ngjarja e cila mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda ndodhi pas një debati për motive xhelozie. 

Sipas mediave italiane, kur shqiptari kuptoi se bashkëshortja e tij nuk po merrte frymë, kërkoi ndihmë. Gruaja, në gjendje kritike, u shtrua në spitalin San Paolo në Savona dhe është jashtë rrezikut për jetën por nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në një shtëpi në qendër të qytetit, ku efektivët kanë ndërhyrë për të ringjallur gruan që mbeti viktimë e tentativës për mbytje nga burri i saj. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët gjetën bashkëshortin e viktimës, një 42-vjeçar me origjinë shqiptare, por banues prej vitesh në qytetin e Torretta-s, i cili tashmë kishte rrëfyer se kishte tentuar të mbyste gruan e tij 31-vjeçare dhe se ndaloi vetëm kur kuptoi se gruaja nuk po merrte më frymë.

Gjithçka ka nisur kur 42-vjeçari shqiptar ka dëgjuar bashkëshorten duke folur në telefon me dikë dhe nën grahmat e xhelozisë, ai ka tentuar ta mbyste me duar. Viktima ka humbur ndjenjat dhe bashkëshorti i frikësuar kishte kërkuar ndërhyrjen e stafit mjekësor, pa marrë parasysh peshën e veprimit të tij.

Gjithë ngjarja ka ndodhur kur fëmijët kanë qenë në shtëpi duke fjetur në dhomën e tyre të gjumit. Burri u transferua më pas në burg dhe do të duhet të përgjigjet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.