Lajm i keq për vendin tonë/ Universiteti i Harvardit: Shqipëria vendi më i rrezikuar për..

251
0

Shqipëria është vendi më i rrezikuar në Ballkanin Perëndimor nga katastrofat natyrore sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Harvardit.

E me gjithë rreziqet, kryesisht nga përmbytjet dhe tërmetet të cilat janë bërë më të ndjeshme se kurrë më parë vitet e fundit, vullneti i shqiptarëve për t’u siguruar vijon të mbetet në shkallë të ulët.

“Dua të nënvizoj një tregues, primi bruto për frymë të popullsisë. Në një periudhë 8-vjeçare primi për frymë është rritur mbi 83 %, që flet për rritjen e tregut dhe ndërgjegjësimin e popullsisë.

E megjithatë, tregu i sigurimeve ende mbizotërohet nga produktet e sigurimit të detyrueshëm”, tha Mimoza Kaçi, Drejtuese në detyrë e AMF.

Me gjithë humbjet e konsiderueshme si pasojë e breshrit, ngricave apo përmbytjeve, vetëm një pjesë e vogël e bujqve në vend kanë siguruar të mbjellat e tyre.

 “Bujqësia është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë, që rezulton në masë të madhe e ekspozuar ndaj ndryshimit të kushteve klimatike.

Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike.

Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të ishte e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar”, u shpreh Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Mirëpo, për Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë, deputetin socialist Eduart Shalsi, ecuria e dobët e sigurimeve në sektorin bujqësor vjen sa nga mungesa e njohurive nga fermerët, aq edhe për faj të kompanive.

“Bujqit nuk kanë informacionin e duhur, por edhe ata që shkojnë në terren nuk dinë se si t’u shpjegojnë rëndësinë që ka sigurimi”, tha Shalsi, deputet i Partisë Socialiste.

Qeveria ka hedhur ndërkohë për konsultim publik një projektligj i cili detyron qytetarët dhe bizneset të sigurojnë pronat e tyre nga tërmetet.

Ministri Mete tha se drafti do të rishikohet pas konsultimeve edhe me Bankën Botërore, në mënyrë që primi që do të paguhet të jetë i përballueshëm nga qytetarët. Shtresat në nevojë pritet të mbështeten nga buxheti i shtetit./   S.M