Pranvera këtë vit në venin tonë duket se ka sjellë më shumë reshje shiu se vitet e fundit që ne jemi mësuar që në këtë stinë të kemi më shumë mbizotërim të diellit dhe temperaturave të larta.
Meterologu Hakil Osmani në një lidhje live, për “Shqipëria Sot”, ka theksuar se ditët në vijim në vendin tonë do të jenë në mbizotërimin e kthjellimeve dhe pse sipas tij herë pas here mund të kemi dhe reshje të pakta të izoluara në zonat malore.
Sipas tij fundjava do të jetë e favorshme përsa i përket kushteve atmosferike ku temperaturat do të arritje deri në 27 gradë.
“E enjtja, e premtja po dhe ashtu dita e shtunë të jetë me mot të kthjellët në ultësirën perëndimore ndërsa në zonat malore mund të ketë reshje të pakta. Gjatë ditës së dielë pritet që vranësirat të bëhen më të shpeshta duke krijuar dhe mundësi për shi.
Në fundjavë do të kemi temperature me 26 apo 27 gradë”, është shprehur ai.
Ndërkohë përsa i përket muajit maj, meterologu ka theksuar se dhe ditët e para të këtij muaji do të jenë në kushte të luhatshme atmosferike.
Ai ka theksuar se do të kemi diell dhe shi gjatë 10 ditëve të para të cilat do të shoqërohen dhe me uljen e temperaturave herë pas here.
“Dhjetëditëshi i parë i Majit do të jetë në mbizotërim të shirave dhe vranësirave dhe temperaturat do të jenë rreth vlerave me 24 gradë por dhe më të freskëta. Do të kemi një 10 ditësh me luhatje të temperaturave. Nëse e krahasojmë me pranverën e viteve të fundit, kjo e këtij viti është cilësuar si pranvera tipike e viteve ‘90 në vendin tonë, ku ka mbizotërim të reshjeve dhe temperaturave jo shumë të larta, pasi në vitet e fundit ne ishim mësuar me mot me diell dhe temperature shumë të larta”, ka thënë meterologu.