Pensionistët italian gjejnë “parajsën” në Vlorë: Këtu kemi gjetur qetësinë

75
0

Marco dhe Rosa Albanese nga Pavia erdhën si turistë në Vlorë. Të sapodalë në pension, të dy provuan të jetonin larg vendlindjes në disa shtete të tjera, por udhëtimi drejt Vlorës u bëri përshtypje. Të dy u mrekulluan nga natyra, qetësia dhe çmimet e lira.

Për këto arsye, ato vendosen të jetojnë në Vlorë.

Rosa, 64 vjeç një ish-punonjëse e doganave në Itali tha për Euronews Albaniase është hera e parë që vjen në Shqipëri ndërsa natyra, qetësia por edhe çmimet e ulëta e bën të vendoste të jetonte në Vlorë.

“Duam të jetojmë këtu, jetesa në Itali është shumë e shtrenjtë dhe e zhurmshme. Këtu kemi gjetur qetësinë. Fillimisht vendosëm të shkonim në Tunizi, por kur morëm informacion për Vlorën dhe erdhëm këtu, kuptuam që është vendi ideal. Me pensionin qe marr, me del te jetoj këtu dhe më pëlqen shumë natyra dhe bregdeti i Vlorës,” – tregoi ajo.

Bashkëshorti i saj Marco, rreth 65 vjeç dikur ka qenë restaurues mobiljesh. Pas një jete punë, ai ka gjetur atë që i mungonte prej vitesh, qetësinë.

“Meqë kemi dhe mbiemrin Albaneze, vendosëm të vinim në Shqipëri. Ishte, si të them, dashuri me shikim të parë, më tërhoqi natyra, qetësia që të fal Vlora. Edhe si popuj jemi të ngjashëm. Atje ku jetonim në Itali ka shumë individualitet dhe thuajse nuk ekzistojnë më marrëdhëniet shoqërore gjë që e gjetëm këtu dhe kjo na pëlqen shumë,” – tha ai.

Ajo që i ndihmoi të sistemoheshin në Vlorë ishte Teresa Guzzardi, një bashkëatdhetare e cila prej 3 vitesh tashmë jeton në Vlorë dhe drejton një zyrë e cila ndihmon italianët të akomodohen në qytetin bregdetar.

“Jam romane me origjinë, kam jetuar në kryeqytet, por kaosi më futi në një gjendje që nuk po duroja më. Vendosëm bashkë me bashkëshortin të largoheshim dhe pasi përjetuam disa eksperienca të vështira në Karaibe dhe Portugali, erdhëm këtu. Mendimi I parë ishte të ndihmonim bashkëatdhetarët dhe hapëm një zyrë informacioni,” – u shpreh Guzzardi.

Si profesioniste e fushës, ajo tregon se vitet e fundit po shtohet shumë numri i shtetasve italianë që zgjedhin Vlorën.

“Italianët po vijnë çdo ditë e më shumë, pasi jeta në Itali është bërë e vështirë, shumë taksa, çmime të larta, aspak qetësi. Këto faktorë kanë ndikuar, në veçanti për moshën e tretë, të cilët nuk duan të paguajnë shumë taksa dhe kërkojnë vende si Shqipëria ku me pak shpenzime jetohet më mirë,” – tha Guzzardi.

Më shumë se 600 italianë janë rezidentë në Vlorë, ndërsa numri i turistëve shtohet nga viti në vit.