Partia e re Patozi-Bode, edhe Aqif Rakipi i PDIU-së bashkë me ta??

676
0

Tre ish-anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë, Ridvan Bode, Astrit Patozi dhe Aqif Rakipi, janë parë së bashku të hënën paraditë në një nga lokalet në ish Bllok.

Lulzim Basha nuk i përfshiu në listat e deputetëve, Bode dhe Patozi nuk kanë patur miqësi me deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, një mik i ngushtë i Edi Ramës, por i përjashtuar nga Parlamenti për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Megjithëse të tre ish-deputetët nuk i lidh miqësia, mesa duket mund t’i lidhë strategjia e Ridvan Bodes, Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit për të krijuar një parti të re.

Qëndrimi së bashku i Bodes, Patozit, Aqif Rakipit ka zgjatur mbi dy orë, por Patozi, që mbulon marrëdhëniet publike të grupit anti Basha në Partinë Demokratike, nuk postoi asgjë në llogarinë e tij në Facebook.

Nga takimi publik mes tyre mbeten dy pikëpyetje të mëdha. A po përfshihet Aqif Rakipi në partinë e re të kundërshtarëve të Bashës dhe a është ky një sponsorizim direkt nga kryeministri Edi Rama për krijimin e një partie apo një lëvizje të re kundër Bashës para zgjedhjeve lokale?

Aqif Rakipi njihet si dora e fortë e Edi Ramës në politikë dhe ai e ka pranuar se Aqif Rakipi u bë garancia e tij për të qëndruar kryeministër në 2016-ën.

Ishte koha kur Aqif Rakipi i siguroi Ramës 71 vota në parlament, kur LSI dhe PD po shikonin si opsion mocionin e mosbesimit për shkarkimin e kryeministrit Rama, kur ky refuzonte konsensusin për reformën në drejtësi. / Hashtag.al