Fevziu tregon momentin më te vështirë: Varrosa nënën, të nesërmen dhe njeriun më të afërt..

205
0

Në rubrikën e “31 pyetjeve” në “Rudina” në Tv Klan, Blendi Fevziu i përgjigjet të gjitha kureshtjeve për detaje të vogla lidhur me jetën e karrierën e tij, por ndalet edhe në  momentet e mëdha. Këto nuk janë  gjithnjë të bukura, madje shpesh janë të vështira e kërkojnë një forcë të madhe emocionale e psikologjike për të vazhduar të jesh i pranishëm në ekran edhe kur pëson humbje të mëdha.

Blendi Fevziu: Momenti më i vështirë, më duket se e kam thënë diku, nuk jam shumë i sigurt, ka qenë një moment, kur ime më ndërroi  jetë në Boston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U deshën 6-7 ditë që të vinte trupi i saj. Ne shkuam bëmë varrimin, të pasnesërmen duhet të nisesha për në Kosovë sepse kisha lënë një intervistë shumë të rëndësishme me Hashim Thaçin që në atë kohë u akuzua nga Dick Marty për këtë gjë që po gjykohet sot. Kisha lënë një intervistë me të, ndërkohë që 4 ditë kisha futur emisione të regjistruara sepse duhet të rrija në shtëpi të prisja njerëz.

Atë ditë kur po bëhesha gati të nisesha më thanë që daja i mamit, njeriu që më kishte rritur, që rrinte në shtëpi po me ne aty, kishte ndërruar jetë dhe ai. Ishte një dilemë e tmerrshme sepse ndërkohë u detyrova të mbaroj të gjitha gjërat, mora në telefon, thashë nëse mund të më vini një eskortë policie në pjesën e Kosovës se rruga jonë ishte bërë ndërkohë, mund të shkoje. Ata më vunë në fakt një eskortë dhe unë kam arritur 4 minuta para emisionit, por imagjino se si mund të shkojë njeriu në emision kur një ditë para ka varrosur nënën, një ditë tjetër njeriun më të afërt, megjithatë ndonjëherë ti e kupton që raporti me detyrën është i tillë që ti nuk mund të shkosh. 

Këtë  gjë ua them shpesh të tjerëve, sa e thjeshtë duket kur ti e sheh nga jashtë, por ti ka ditë që je me 40 temperaturë dhe duhet të jesh atje në studio sepse ti s’mund ta lësh studion bosh. Në 25 vjet e gjysmë unë s’kam munguar asnjë ditë të vetme. Ti mund të kesh ditë që mund të jesh i mërzitur, ti mund të kesh shqetësimet e tua personale, ti mund të kesh shqetësime familjare, ti mund të kesh lodhje fizike. Me 40 kam hyrë në studio, marr një gjë për të më ulur tensionin, duhet të rri edhe në këmbë. Kam qëlluar që i kam thënë stafit më vini një stol që të paktën mos të ndiej lodhjen ose mos të më merren mendtë dhe askush që është përballë televizorit nuk do t’ia dijë fare për këtë, si je ti, si s’je ti dhe ti gjykohesh.