Rrëfimi tronditës i të sëmurës mendore: Si u abuzova tre herë seksualisht (Video)

551
0

As nën mëshirën e fatit, por e braktisur edhe prej tij, një vajzë 30 vjeçare me probleme të rënda të shëndetit mendor në Kuçovë, ka rrënqethur me dëshminë e saj për emisionin “Boom”në Ora News. Përveç vështirësive të shumta që ndesh çdo ditë për ushqim dhe strehim, ajo tregon se është abuzuar disa herë seksualisht.

I pyetur në lidhje me vërtetësinë e informacioneve të dhëna nga ana e saj në bisedë me gazetaren, mjeku psikiatër i saj thotë se ka momente kur ajo nuk është psikotike dhe këto informacione duhen vlerësuar dhe ndjekur në dinamikë nga një psikolog, por edhe Komisariati i Policisë Kuçovë.

Kodi penal i republikës së shqipërisë në nenin 103 e cilëson abuzimin seksual me persona të pazotë për t’u mbrojtur si vepër penale, duke e dënuar atë me burgim nga 5 deri në 10 vjet.

Drejtori i Shërbimit Social Kuçovë, Kelment Llangozi, ka rrëfyer për Boom vështirësitë që ka menaxhimi i këtyre rasteve në mungesë të institucioneve sociale për këtë kategori. Pas përpjekjeve më shumë personale sesa institucionale edhe ai duket i dorëzuar.

E reja aktualisht është një person me aftësi të kufizuara endacak, për të cilën banorët e lagjes 1 maj në Kuçovë kujdesen çdo ditë. Njëri prej tyre e ka sistemuar atë në një banesë private të braktisur, ndërsa të tjerët e ndihmojnë me ushqime dhe veshmbathje. Disa prej tyre shprehen se ajo ka momente në të cilat bëhet e dhunshme, duke u bërë edhe e rrezikshme për komunitetin.

I pyetur nga Boom mjeku i familjes dëshmon se dy herë në muaj ajo bën nga një injeksion që quhet mjekim i detyruar, ku herët që nuk e gjejnë, janë të detyruar të kërkojnë dhe bashkëpunimin e policisë.

Trajtimi i këtij rasti në “Boom” është një apel për institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila duhet të marrë tani në dorë rastin.