“Lotaria amerikane”, në Korçë dhe Pogradec të gjithë aplikojnë dhe shpresojnë të fitojnë një ditë

293
0

Ashtu si përditshmëria e çdo njeriu në jetën e tij edhe aplikimi për lotarinë amerikane në muajt tetor-nëntor, është kthyer në një rutinë vjetore edhe për pjesën dërrmuese të banorëve të juglindjes së vendit.

Në të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime në internet në bashkitë e Korçës dhe Pogradecit, tabelat e aplikimit për lotari amerikane këto ditë janë më të dukshme.

Një prej administratorëve të këtyre pikave na tregon për numrin e aplikimeve, moshat dhe profesionet.

 “Edhe këtë vit vijon trendi i zakonshëm, është rritur madje sepse është hequr kërkesa për pasaportë. Ka rreth 50 aplikime në ditë, kanë aplikuar të gjithë, edhe gazetarë”, thotë për A2 CNN Artan Zhiva, administrator i një pike interneti që shërben edhe si qendër aplikimi për lotarinë.

 Natyrisht që të rinjtë dhe mosha e aftë për punë, përfshi edhe ato që janë të punësuar, i kanë sytë nga Amerika dhe lotaria amerikane për ta është një mundësi që duhet shfrytëzuar vit pas viti derisa sa ta fitojnë.

 “Unë jam financiare, banoj në Tiranë, por vij këtu të aplikoj prej 5 vitesh, është shndërruar në traditë”, rrëfen Haxhie Culi, një nga aplikueset.  

Juglindja e vendit është konsideruar si një prej zonave me më shumë fitues të lotarisë amerikane dhe kjo është kthyer në një besëtytni për shumë qytetarë edhe nga qytete e tjera të vendit që shkojnë drejt Korçës vetëm për të aplikuar.