Vjen fundi i makinave me naftë e benzinë: BE finalizon marrëveshjen

197
0

Ligjvënësit e Bashkimit Europian finalizuan marrëveshjen që dikton emetime zero për makinat e furgonët e rinj brenda një dekade, një ujdi kyçe kjo e cila e vendos Europën në trajketoren e një ardhmeje të mbizotëruar nga automjetet elektrike.

Parlamenti Evropian, që përfaqësohej në këtë rast nga ligjvënësi holandez Jan Huitema, dhe Këshilli i BE-së, i përfaqësuar nga mbajtësja aktuale e presidencës europiane, Çekia, arritën marrëveshjen pas diskutimesh të gjata.

Fillimisht, ky u konsiderua si një nga propozimet legjislative me polemizuese të të ashtuquajturës Marrëveshja e Gjelbër e BE-së, por dosja e standardeve të CO2 përparoi me shpejtësi, duke zënë vendin e parë të paketës së miratuar nga shtetet anëtare dhe Parlamenti.

Legjislacioni kërkon që të gjitha makinat dhe furgonët e rinj të shitur në BE të kenë emetim zero deri në vitin 2035, çka ndalon efektivisht shitjen e makinave të reja me benzinë ​​dhe naftë që funksionojnë me teknologjinë e motorëve me djegie.

Shefi i BE-së për klimën, Frans Timmermans, i cili mori pjesë në negociatat e mbrëmjes, tha se marrëveshja dërgon një sinjal të fortë për industrinë dhe konsumatorët.

“Europa po përqafon në këtë mënyrë kalimin drejt lëvizjes me emetim zero. Prodhuesit europianë të makinave tashmë po dëshmojnë se janë gati të hedhin hapa konkretë, ndërsa makinat elektrike po bëhen gjithmonë e më të përballueshme në treg”, tha ai.

Ndërsa ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë Jozef Síkela u shpreh se marrëveshja “do t`i hapë rrugën një industrie moderne dhe konkurruese të automobilëve në BE”.

Ligjvënësit ranë dakord gjithashtu për një objektiv të përkohshëm që parashikon reduktimin me  55% të emetimeve të CO2 deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2021 për makinat dhe një reduktim prej 50% për furgonat.