Firmoset kontrata 6 mln dollarë/ Dy satelitë “Albania 1” dhe “Albania 2” në hapësirë për 3 vjet. Ja për cfarë do shërbejnë

159
0

Nënshkruhet Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc”

Kontrata ka vlerën e 6 mln dollarëve dhe konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve për një periudhë 3 vjeçare për monitorimin e territorit të Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike, profesionale për përdorimin e shërbimit satelitor dhe përpunimin e informacionit gjeohapësinor dhe ofrimin e produkteve të imazherisë.

Shqipëria do të ketë akses prioritar të dedikuar në dy nga satelitë të dedikuar që do i bashkohen flotës satelogjik në lëshimin e ardhshëm me “Space X” që do të quhet “Albania 1” dhe “Albania 2”. Do u shërbejë institucioneve marrjen e imazheve satelitore me rezolucion shumë të lartë.

Çfarë do monitorojnë satelitet

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës.

Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marrë masa administrative nga sektori i inspektimit dhe kontrolli i peshkimit

Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara”

Në fushën e turizmit do të shërbejë edhe duke dhënë informacion për cilësinë e ujërave bregdetare me synim promovimin e zonës bregdetare, si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj.

Policia e Shtetit do të ketë të mundur marrjen e informacionit për kultivimin e bimëve narkotike, shfrytëzimin apo prerjen e paligjshme të pyjeve, gjuetinë e paligjshme, shkatërrimin e shtratit të lumenjëve, shfrytëzimet e paligjshme të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura, kalimin e paligjshëm në pikat kufitare, informacione të cilat do të mundësojnë evidentimin në kohë të akteve kriminale.