Policia e Shtetit njoftoi se “Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik” që goditi vendin tonë.
“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.
Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi”, lexohet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit ka kërkuar mirëkuptimin e mediave dhe të opinionit publik, pasi, sipas saj, “publikimi i këtyre të dhënave cenon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”.
A2 CNN, pas udhëzimeve të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, vendosi që të tërheqë të gjitha materialet e transmetuara në ekran dhe të publikuara “online”.