Ministrja e hoqi nga puna dhe mbeti 9 vite pa rrogë, shkrimtari i njohur largohet nga Shqipëria drejte Amerikes

139
0

Shkrimtari i njohur Lazër Stani është larguar nga Shqipëria duke iu drejtuar Amerikës së largët.

Lazër Stani është bashkëshorti i poetes së mirënjohur Luljeta Leshanakut. Stani duket se ka lënë Shqipërisë pas sfidave dhe pas 9 viteve pa një rrogë. Për shkrimtarin, artistin, mjeshtrin e tregimit dhe të fjalës shqipe duket s’e nuk kishte një “vend” pune në Shqipëri për të.

Stani punonte se këshilltar i Ministrisë së Kulturës, por që u shkarkua nga Ministrja Kumbaro. Në vitin 2013 Mirela Kumbaro mori postin e ministers së Kulturës dhe vetëm pak ditë pas nisjes së punës shkarkoi tre këshilltarët, Bardhyl Londos, Ylljet Aliçkajt dhe Lazër Stanit.

E pas 9 vitesh pa një punë duket se Stani ka vendosur që të “heq dorë” nga vendi i vet, miqtë e të afërmit.

Në lidhje me këtë largim miku i tij Gëzim Zilja ka bërë një shkrim të gjatë ku ndër të tjera thotë “pa ty dhe të tjerë si ty, vendi i shqiponjave shkretohet e varfërohet çdo ditë. Zoti e di nëse do takohemi sërish”.

E plotë nga Gezim Zilja:

Udha e mbarë në Amerikë, Lazër Stani! U realizofshin atje endrrat e tua.

U largua nga Shqipëria një nga shkrimtarët  më të mirë shqiptar, mjeshtër i tregimit dhe fjalës shqipe, njeriu i ditur dhe i mirë Lazër Stani! Do na mungosh aq shumë o Lazër! Zëri yt, buzëqeshja jote e veçantë, ironia e hollë si fija e flokut, këshillat e mendimet plot vlerë, thjeshtësia dhe eleganca e lindur, kafja dhe rakia 60 lekëshe te klubi i lagjes, mezja te bulmetorja dhe pendesa e përherëshme të nesërmen se dje e tepruam, (pimë shumë,) që përsëritej me Galipin tonë fisnik dhe Flamurin artist,  kush e di nëse do të ndodhë më. Do na mungojnë  diskutimet për shoqërinë shqiptare të molepsur nga e keqja dhe veset, për politikën, e për këtë shtet karagjoz që ngritëm këto tridhjetë vjet.

Shumë boshllëk krijon largimi i një miku e të mbulon trishtimi. Se janë kaq të pakët e vazhdojnë të mbeten edhe më pak duke u larguar çdo ditë. Nuk të lanë rrugë tjetër i dashur Lazër veç largimit. Nuk të lanë të punoje megjithëse shoqëria ka aq nevojë për njerëz si ty, sidomos kultura, historia dhe letërsia shqiptare. Qysh nga viti 1992 punësimi yt qe “problem.” Ishe i papranueshëm se kudo që shkoje thoshje atë që mendoje dhe rrezatoje dituri e drejtësi.

Nuk e pranon dot shoqëria e sotme njeriun si ty. Je nga shkrimtarët më të mirë në këto tridhjetë vite ( për mua më i miri) por duke qenë antikonformist i lindur asnjëherë njerëzit në pushtet nuk të donin afër. Pushtetarët e sotëm të heqin nga puna nëse nuk bindesh, shkruan e firmos gjithçka që të japin. Osh e branë u hoqe kur në qeveri ishin blutë por nuk e gjunjëzove. Po të kuqtë as që donin t’ia dinin. Të flakën nga puna me një letër të pistë pa kuptim.

Po ti si njeri plot vlera nuk hape gjyq duke thënë: nuk i dua paratë e tyre. Njerëz potencial si ty, pushtetarët e sotëm nuk i kanë fare në listat e të gjallëve. Edhe në televizionin shqiptar, edhe në ministritë e arsimit e të kulturës edhe në drejtoritë e librit, për ty  njeriun plot kulturë, tregimtar i shkëlqyer dhe vizionar (ashtu si për Bardhyl London, mikun tonë të paharruar) nuk u gjend një vend pune qoftë dhe inspektor i thjeshtë.

Sot ministritë e drejtoritë e librit, kulturës e historisë gëlojnë nga të paaftët, nga të paditurit, intrigantët, patronazhistët dhe të pakulturuarit. Kishe një libër të ri nëpër duar që unë të përgjërohesha ta botoje. Dikur ti më dhe atë përgjigjen klasike, të ngjashme me Konicën kur e pyeti Noli, që pse nuk i mbledh shkrimet e boton një libër. Ti mu përgjigje:

Ja e botova more Gëzim, po kush do ta lexojë? Sot libri lexohet fare pak ose aspak dhe kjo është nga dramat më të rënda të shoqërisë shqiptare.…

Udha e mbarë miku im, shkrimtari që rrezaton në letërsinë shqiptare, Lazër Stani! Diell tu bëftë andej nga do të shkosh në Amerikën e largët. Po dije, se pa ty dhe të tjerë si ty, vendi i shqiponjave shkretohet e varfërohet çdo ditë. Zoti e di nëse do takohemi sërish! Udha e mbarë…