Irani sulmon sërish Shqipërinë, bllokohen pikat kufitare dhe portet

247
0

Sanksionet e vendosura një ditë më parë nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit për sulmin kibernetik në Shqipëri gjatë muajit korrik, nuk i kanë zmbrapsur hakerat e sponsorizuar nga Republika Islamike, për të vijuar sulmet kundër vendit tonë.

Gjatë natës u raportua fillimisht se ishte bllokuar puna në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, ku kalimi i personave po regjistrohej në blloqe me shkrim dore nga ana e punonjësve. Që Irani ishte përgjegjës për këtë sulm e konfirmoi vetë Kryeministri Rama.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, tha Rama në një postim në Twitter.

Nga sulmi iranian u bllokua e puna në portin e Vlorës, ku qindra udhëtarë nuk kanë mundur të largohen nga vendi me tragete. Nga pamjet brenda portit, shihen njerëzit e ulur në stola që presin. Nëse bllokimi do të vijojë, atëherë do të duhet të kthehen mbrapsht.

Probleme janë shfaqur që mbrëmë edhe në Portin e Durrësit, por nuk është pezulluar puna, për shkak se pasagjerët që kishin rezervuar udhëtimin janë përpunuar me dorë nga punonjësit e portit. Gjatë paradites së të shtunës nuk ka proces përpunimi, sepse nuk ka tragete në këtë orë.