Paketë e dytë ndihmëse ndaj shtresave në nevojë për krizën energjetike dhe rritjen e kostove të jetesës.

195
0

Ashtu siç ishte përfolur, qeveria do të ketë një paketë të dytë mbështetëse për krizën energjetike dhe rritjen e kostove të jetesës.

Top Channel ka zbuluar se kjo paketë do të prezantohet të mërkurën dhe kryefjala do të jetë mbështetja e sektorit energjetik dhe e shtresave në nevojë.

Nga burime të sigurta bëhet me dije se qeveria do të shpallë paketa subvencionuese për iniciativat private të bizneseve dhe familjeve që duan të instalojnë impiante fotovoltaike. Gjithashtu do të prezantohet fasha 800kW/h deri në të cilin qeveria do kompensojë familjet dhe bizneset e vogla me çmimin 9.5 lekë. Mbi këtë fashë do të paguhet një çmim më i shtrenjtë. Gjithashtu qeveria do prezantojë urdhra administrativë për administratën publike për kursimin e energjisë. Kjo do të shërbejë edhe si një shembull për familjet shqiptare.

Gjatë rishikimit të buxhetit gjatë muajve të verës qeveria ka alokuar fonde edhe për vazhdimin e mbështetjes së shtresave në nevojë. Siç është deklaruar edhe nga ministrja e financave pritet të vazhdojë bonusi për rreth 520 mijë pensionistë dhe subvencioni për transportin publik.  Por, për pensionistët masa e kompensimit nuk është e mjaftueshme, ndërsa rreth 100 mijë prej tyre duan të përfshihen në paketën e radhës:

Ndërsa paketa e parë përfundoi në korrik, qeveria gjatë verës bëri rishikimin buxhetit. Deri në korrik buxheti mblodhi 375 milionë euro më shumë të ardhura se viti i kaluar, por vetëm 102 milion euro janë alokuar për mbështetjen e shtresave në nevojë dhe transportin publik.

Një pjesë të madhe të buxhetit po e “gërryen” edhe blerja e shtrenjtë e energjisë elektrike ku qeveria ka caktuar rreth 240 milionë euro për ta mbajtur çmimin e pandryshuar për familjet dhe bizneset e vogla.