Incidenti ne Gramsh, reagon Ambasada RUSE: Duam të takojmë qytetarët tanë të ndaluar

229
0

Ambasada e Rusisë në Tiranë i ka dërguar një notë verbale Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme në Shqipëri, duke i kërkuar informacion lidhur me arrestimin e dy shtetasve në Uzinën Ushtarake të Gramshit.

Zyrtarisht Policia e Shtetit në një deklaratë publike ka bërë me dije se çështja po hetohet nga Prokuroria dhe me kërkesë të Drejtorisë së AntiTerrorit, të tre shtetasit e huaj, dy rusë dhe një ukrainas, janë arrestuar për akuza të spiunazhit.

“Nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. Z., 24 vjeç, S. T., 33 vjeçe, të dy shtetas rus dhe F. A., 25 vjeç, shtetas ukrainas, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi Policia.

Në një reagim për median ruse “Sputnik”, Ambasada në Tiranë ka bërë me dije se nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare në lidhje me incidentin. Selia diplomatike e Rusisë në Tiranë kërkon mundësinë e organizimit të një takimi me shtetasit rusë të ndaluar.

“Në lidhje me këtë, ambasada i dërgoi një notë Ministrisë së Jashtme shqiptare me kërkesë për të njoftuar misionin diplomatik rus në mënyrën e përcaktuar për identitetin e të arrestuarve, vendndodhjen e tyre aktuale, cilat janë akuzat, procedimet e mëtejshme ndaj tyre, si dhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të departamentit konsullor të ambasadës me rusët e ndaluar”, tha Ambasada për Sputnik.

Kujtojmë se dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë që ndodheshin në uzinë.