Normalizohet trafiku në autostradën Tiranë-Durrës, pas aksidentit që përfshiu një kamion të ngarkuar me grurë. Shoferi dyshohet se humbi kontrollin duke shkaktuar përmbysjen e kamionit dhe derdhjen e ngarkesës me grurë në të dyja krahët e autostradës, çka shkaktoi edhe rëndimin e trafikut.
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar bënë të mundur zhbllokimin e rrugës pak minuta më parë, duke mbledhur grurin me lopata dhe ekskavatorë.
Por ajo që vihet re, shihet se si mjetet e tjera që kalojnë në rrugë nuk e kanë aspak problem që të “shkelin” mbi grurin e derdhur, edhe pse çdo ditë ankohemi për rritjen e çmimit të miellit dhe nënprodukteve të tij.
Ajo që bën edhe më shumë përshtypje është që forcat e policisë të cilat kanë për detyrë ruajtjen e sigurisë rrugore, por jo vetëm, në vend që të ngrinin postobllok dhe të ndalonin mjetet e tjera të kalonin mbi grurë, i kalojnë edhe vetë me mjetin e tyre.
Njoftimi i policisë: Më datë 12.08.2022, rreth orës 14:05, në autostradën Durrës-Tiranë, shtetasi A. A., duke drejtuar mjetin (kamion të ngarkuar me grurë), dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Kujtojmë se dy ditë më parë anija me grurin ukrainas u ankorua në portin e Durrësit.