“Ia rrëmbyem Greqisë turistët”, ministrja e Ekonomisë: Nuk ka krize, turizmi ka shenuar rritje

172
0

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka deklaruar se qarkullimi ekonomik i bizneseve të Hoteleri-Turizmit është rritur më 23% gjatë periudhës maj-qershor referuar deklaratave të TVSH-së, krahasuar me një vit më parë.

Sipas saj është rritur edhe punësimi në këtë sektor.

Por, shkak për këtë rritje është bërë heqja e kufizimeve nga pandemia Covid-19. Rikujtojmë se një vit më parë ka pasur kufizime në hyrje të pikave doganore shqiptare për shkak të Covid-19 dhe numri i pushuesve që zgjodhën Shqipërinë ishte më i pakët. Gjithashtu kishte kufizime për sa i përket orareve dhe lejimit të muzikës në klube. Kujtojmë se as grumbullimet masive nuk lejoheshin.

“Turizmi kontribut pozitiv për ekonominë shqiptare. 23% më shumë u rrit qarkullimi i biznesit në sektorin e Hoteleri-Turizmit, referuar deklaratave të TVSH-së për periudhën Maj -Qershor 2022 krahasuar me Maj -Qershor 2021”, shkruan Ibrahimaj.

“Pothuajse të gjithë aktivitetet e këtij sektori rezultuan me rritje, përkatësisht “Akomodime të tjera” me 80% dhe “Hotele dhe struktura të ngjashme” me 57%,” shton ministrja.

Po sipas ministres, punësimi ka shënuar rritje me 16% krahasur me një vit më parë.

“Punësimi gjithashtu shënoi rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ose me rreth 23% krahasuar me periudhën para pandemisë (2019).

Këto shifra dhe jo perceptimet që përshfaqen lart e poshtë këto ditë, tregojnë qartë për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm, rritjen e konsumit dhe vlerën që turizmi ka në rimëkëmbjen e ekonomisë”, shkruan Ibrahimaj.

Por sipas Rrahman Kasës, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, bregdeti i Durrësi-Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues në njësitë akomoduese në krahasim me vitin e kaluar.

“Si kapacitet i shfrytëzimit të hoteleve dhe plazheve, përveç Durrësit, të tjerët janë më keq se vitin e kaluar”.

Ai thotë se Bregdeti Durrës- Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%.

Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%.

Bregdeti i Sarandes është mbi 70%; Bregdeti i Vlores 75-80%

Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%.

Dobët rezulton dhe Shëngjini këtë vit, ku Kasa thotë se zënia e kapaciteteve është 70-75%.

Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka deklaruar se i kemi marrë Greqisë dhjetëra mijëra turistë gjatë këtij sezoni.

Por pavarësisht kësaj, Greqia ka shënuar rekorde në turizëm gjatë këtij sezoni duke i patur 80% të njësive akomoduese me rezervime 100%. Mësohet se vendi do të përfitojë rreth 15 miliard euro deri në fund të sezonit turistik duke kapur një rekord historik.

Ndërkohë, ka ishuj si Santorini apo Naxos, të cilat janë full me rezervime që shkojnë deri në 100%.

Turistët kanë rezervuar të tre muajt e verës në Greqi dhe ishujt e saj, teksa kanë vazhduar edhe në shtator. Pushuesit në numër më madh janë nga Franca, Italia, Britania e madhe, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.