“Mami ti je e shëmtuar, mami Xhoit i ka flokët më të bukura se të tuat, unë dua atë për mami”-I thoshte nënës së saj Ina, një vajzë tetë vjeçe. Nëna e Inës e shikoi Inën me qetësi dhe ju përgjigj- por unë nuk jam ajo dhe nuk mund të bëhem si mami Xhoit. Unë dua të jem vetja ime, po ti bëj flokët si mami Xhoit do të të dukem edhe më e shëmtuar, por flokët mund ti rregulloj më ndryshe – vazhdoi me humor mami Inës, duke i bërë flokët në një mënyrë paksa qesharake.
Ina e shikonte dhe filloi të qeshte me të madhe. –jo o ma i ke shumë më mirë kështu. Nëna e rrëmbeu në krahë dhe vazhduan të qeshnin të gëzuara. Me pak humor gjithçka kaloi pa qefmbetje, dyshime dhe mërira. Por ende ka shumë nëna që nervozohen dhe fillojnë dhe ironizojnë fëmijën e tyre, kur fëmija bën deklarata të tilla. Fëmijët e sotëm kanë filluar të kenë kurajo të shprehin opinionin e tyre.
Kjo tregon që prindërit e sotëm po shmangin ti edukojnë fëmijët nëpërmjet frikës, ata kanë zgjedhur tolerancën dhe respektin. Prindërit e sotëm kërkojnë gjithnjë e më shumë të dinë se deri ku duhet toleruar dhe si duhet ndërhyrë. Sa kupton fëmija i tyre dhe si duhet të sillet prindi që të ndihmojë fëmijën për të menaxhuar veten dhe të lehtësojë sa më shumë të kuptuarin. Kur asiston një shpërthim zemërimi të fëmijës vërtet të tremb, por tek e fundit, është një reaksion natyral dhe i ndodhur në kohën e duhur.
Nuk është e vështirë të detyrosh një fëmijë katër-pesë vjeç apo tetë-nëntë vjeç, të ndrydhë zemërimin dhe të nënshtrohet, por me çfarë kosto? Besoj që të gjithë rrëqenthen kur dëgjojnë për adoleshentë e të rinj që kryejnë veprime të dhunshme si ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve edhe të rritur që kryejnë krime deri brenda familjes.
Këtu janë rrënjët tek kjo ndrydhje e këtij zemërimi në këto mosha të brishta të fëmijërisë. Te mostoleranca e të rriturit, të reaguarit ashpër e me dhunë. Për pak tolerancë dhe vetëdije të të rriturit, se është ai që duhet të kuptojë fëmijën dhe jo fëmija të rriturin. Kujdes prindër. Lira Gjika