Tenderi i rrugës Fier-Vlorë mund të futet në librin “Guinness” për koston e larte…

1028
0

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me tenderin e fundit të dhënë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për riparimin e rrugës Fier-Vlorë. Në një deklaratë për mediat, Eno Bozdo ka denoncuar procedurën për shpalljen e fituesit të tenderit për riparimin e rrugës Fier-Vlorë.

Bozdo tha se Evis Berberi ka shpallur fituese kompaninë e katërt në garë me ofertën 2 milionë euro më të shtrenjtë se tre kompanitë e tjera.

Ndër të tjera ai i bëri thirrje organeve të drejtësisë të dëshmojnë se janë organ i pavarur duke hetuar këtë aferë.

Për riprarimin e rrugës së vjetër Fier-Vlorë, ARRSH nuk kursehet.

Sikur t’i kishte para të lëna trashëgim nga babai, Evis Berberi ia ka dhënë tenderin e rehabilitimit të rrugës, jo ofertës më të mirë prej 4. 5 milion euro, por të katërtës prej 6.5 milion.

Dy milionë më shumë, në euro që nuk vijnë nga xhepi i tij, as i Ramës, por i taksapaguesveshqiptarë.

Me dyshimin e fortë se nëse nuk dalin, një pjesë e tyre futen në xhepa zyrtarësh të korruptuar.

Autoriteti i Rrugëve mund të hynte në librin “Guinness” me vendimet anti-ligjore, të papërgjegjshme dhe të kushtueshme.

Partia Demokratike denoncon një akt të tillë, i cili nuk është i paprecedent për këtë qeveri, por nuk ka precedent në vende normale, ku qeverisja është transparente dhe llogaridhënëse.

Tre pyetje që do bënte çdo qytetar, dhe ne i përsërisim në emër të tyre, janë:

  • Pse kalohet te e katërta në listën e ofertave dhe shmangen tri të parat?
  • Pse zgjidhet një ofertë që kushton 2 milion euro më shumë se konkurueset?
  • Pse nuk ka transparencë të vendimmarrjes?

Partia Demokratike kërkon vëmendje qytetare dhe të organeve të drejtësisë, për shpenzime të tilla abuzive, dhe rrjedhimisht, korruptive.

Alarmi bëhet edhe më i fortë, po të kujtosh borxhin publik të vendit, që po kap 100% – shin.

Partia Demokratike falenderon median që investigon dhe publikon akte korruptive të tilla, dhe i bën thirrje organeve të drejtësisë të dëshmojnë se janë në krye të punëve, dhe pushtet i pavarur, jo një degë e thyer e qeverisë”,-tha Bozdo në reagimin e tij.