I riu gjen një zarfin me para ne Tiranë dhe i dorëzon! E zonja: Më zbukurove ditën, ishte rroga muajit

779
0

Jo të pakta janë lajmet negative në Shqipëri, ku të rinj vjedhin, dhunojnë familjarët, nënën, babain apo… edhe më keq.

Por jo çdo gjë është e zezë, negative dhe e errët në Shqipërinë tonë të vogël. Ky është rasti i një të riu, i cili gjeti (dje) një sasi parash në tokë, në rrugën Myslym Shyri të kryeqytetit.

I riu, i quajtur Artur, kontaktoi me faqen ‘JOQ’, në tentativë për të gjetur të zotin dhe ashtu ndodhi. Një grua i kishte humbur paratë dhe kur i mori sërish nga Arturi, përcolli këtë mesazh.

“Sot, kur u ktheva në shtëpi kuptova se pagën që sapo kisha marrë nga puna nuk e kisha më në çantë. U shqetësova shumë e mu duk sikur padrejtësitë ishin rezervuar vetëm për mua. Kërkova kudo por u ktheva në shtëpi duarbosh. Nuk e dija që kjo ngjarje e hidhur do ishte një lajm i mirë.

Një lajm i mirë se djem si Arturi që e kishte gjetur zarfin, e ishte i vendosur t’i gjente të zotin, ekzistojnë akoma. Midis streseve të mbijetesës, jeta të kujton se ka akoma shpresë falë këtyre të rinjve zemërmirë të rritur siç duhet nga familja dhe shoqëria. E falenderoj nga zemra Arturin që më zbukuruat ditën (dhe muajin). Zoti jua shpërbleftë me mirësi ju dhe të gjithe djemve dhe vajzave si Arturi”