Resort gjigant me kazino në ishullin e Sazanit? Gazetari: Vetëm pak durim, do te kete edhe..

1134
0

Një zjarr i rënë pak kohë më parë në Ishullin e Sazanit shkaktoi dëme të mëdha duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Zërat se zjarri ishte vënë qëllimisht për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kazinoje gjigante në këtë ishull që dikur ishte krenaria e ushtrisë shqiptare, ridolën në sipërfaqe.

Analisti Lutfi Dervishi, në një shkrim titulluar “Ishulli i Sazanit, pas pak muajsh”, përshkruan se si mund të jetë e ardhmja e këtij ishulli.

Shkrimi i Dervishit:

Vetëm pak muaj më parë zjarri shkatërrimtar i Sazanit, bëri shkrumb e hi florën dhe faunën e ishullit, duke lënë pas një tokë të djegur e të zhuritur që si hyn në punë as dreqit, as të birit, madje as gjyshit me antiplumb.

Por falë investitorëve strategjik XY dhe politikës vizionare të qeverisë për thithjen e investimeve të huaja, ky ishull relike e luftës se ftohte, do të rivitalizohet. Do të jetë padyshim ishulli më spektakolar jo vetëm në Mesdhe por më i veçantë se çdo ishull tjetër mbi dhé!

Bunkerët e diktaturës do i lirojnë vendin komplekseve elitare turistike, jahtet do ankorohen në vend të katersiluruesve, zhurma e komunikimeve mors, do të zëvendësohet nga ferfellima e ruletave të kazinove, ndërsa në tunelet e nëndheshme të ishullit do të hapet muzeu i të arratisurve me not nga Shqipëria, notArt.

Ju sot ende shihni pasojat e zjarrit shkatërrimtar, ndërsa ripyllezimin do e kryejë kryetari i bashkisë së Vlorës që do të zëvendësojë këtë që nuk po i them as emrin.

Aeroporti Vlorës, por edhe ai i Sarandës do të jenë portet e reja të hyrjes. Sot është ditë e veçantë për vlonjatët e paduruar që e duan ishullin të pyllëzuar ashtu si ishte! Por nga ju kërkohet vetëm pak durim!