“Humba miken time më të mirë”, nusja rrëfen ndarjen nga jeta te vjehrrës: Ajo vjen direkt pas nënës sime

243
0

Vetëm 23 vjeçe dhe tashmë nënë e një vajze, Ana e ka krijuar tashmë familjen e saj në një moshë krejt të re. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo rrëfeu se si zërin e dashurisë e dëgjoi që prej vitit të dytë të gjimnazit, edhe pse familja nuk ishte dakord t’i përkushtohej aq shpejt. Megjithatë, e pranuan zgjedhjen e saj, ndërsa në Gusht të vitit 2021 Ana zbulon se po priste një bebe. Ky ishte pikërisht momenti, siç vazhdon ajo historinë e saj në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan, kur vështirësitë nisën të sfidonin familjen e tyre të vogël.

Ana: Unë në Gusht të 2021 marr vesh që pres një bebe. Vinin nga karantina, kohë shumë e vështirë. Ishte e papritur, shumë, jashtë mase e papritur, por ishte e mirëseardhur. Prisnim një gëzim e dinim, por jo në ato momente sepse rrethanat dhe gjërat për ne ishin të papërshtatshme.

Ardit Gjebrea: Pse?

Ana: Unë isha në shkollë, vinim nga karantina, kohë e vështirë, mundësitë ekonomike, pak nga të gjitha.

Ardit Gjebrea: Po familja e Romit, çfarë gjendjeje ekonomike kishte?

Ana: Normale.

Ardit Gjebrea: Janë të dy, edhe vjehrri e vjehrra?

Ana: Për momentin kam vetëm vjehrrin.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Ana: Në Nëntor të 2021 vjehrra ime pëson atak kardiak dhe humbet jetën.

Ardit Gjebrea: Ti ishe shtatzënë?

Ana: Unë isha shtatzënë.

Ardit Gjebrea: Si shkoje me vjehrrën?

Ana: Kam patur një marrëdhënie të shkëlqyer, ndonëse ajo nuk është, por ndoshta më sheh, kam patur një marrëdhënie si shoqe, si mami, si motër, si vajzë, si të gjitha. Me atë kam ndarë çdo shqetësim që kisha me tim shoq, që kisha në shkollë sepse isha gjatë gjithë kohës me të.

Ardit Gjebrea: Pra, të humbi shpatulla ku mbështeteshe?

Ana: Më humbi dhe më ka lënë shumë vetëm, për një milionë arsye. Që kur isha shtatzënë më thoshte që “dua që fëmijën ta kesh vajzë, ta rrisim bashkë, të bëhemi të treja”, bashkë me kunatën time, “të bëhemi të katërta”.

Ardit Gjebrea: Romi ka dhe një motër. Si shkon me të?

Ana: Ajo nuk ka motër, unë nuk kam motër dhe kemi gjetur njëra-tjetrën te njëra-tjetra. Shkojmë shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Le të themi që vjehrra ishte një humbje e madhe si për të edhe për ty.

Ana: Ajo e kishte humbje sepse e kishte nënë, zemër, shpirt. Kurse unë humba miken time më të mirë të jetës sime. Kam humbur një njeri shumë të shtrenjtë, që vjen direkt pas nënës sime.