Fëmija vjen nga jashtë por ka problem gjuhën shqipe, mësuesja e përzë nga klasa

415
0

Antonela Voulis, nënë e dy fëmijëve solli në redaksinë e emisionit “Stop” shqetësimin lidhur me djalin e saj që ndjek klasën e dytë në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes”.

Problemi sipas saj qëndron me mësuesen Valbona Metra, e cila nuk punoi me djalin që kishte vështirësi me gjuhën shqipe sepse vinte nga Greqia.

“Prej datës 5 Janar 2022 jemi transferuar për të jetuar në Tiranë dhe fëmijët i kemi regjistruar në shkollën më të afërt që është “Kongresi i Lushnjes”. Prej datës 5 Janar ia shpjegova mësueses që kemi ardhur nga Greqia dhe jemi transferuar në një shkollë jo publike në Korçë dhe pastaj këtu dhe fëmija ka pak vështirësi në gjuhën shqipe. Kjo e vështirëson në kuptimin edhe të lëndëve të tjera. Edhe pse mësueses ia kam vënë në dukje situatën, mësuesja e ka neglizhuar”, u shpreh e ëma.

Drejtoria e shkollës nuk e zgjidhi problemin, ndaj Antonela e çoi në ZVA, që la detyrë punën me djalin e vogël për një plan ndërhyrjeje dhe ndihme.

“E kam vënë në dijeni drejtoreshën për problemin, por nuk ma ka hapur telefonin. Kam vajtur në ZVA dhe kam paraqitur kërkesën time për djalin. ZVA ka bërë punën e saj, ka inspektuar çështjen dhe ka dalë në përfundimin që do i bëhet një plan pune i posaçëm. Unë si prind e kam hedhur poshtë sepse ishte plan i kopjuar dhe jo i krijuar nga mësuesja sipas njohurive aktuale të djalit”.

Nga kjo histori, mësuese Valbona u ndje e ofenduar dhe shpalli se nuk e donte më fëmijën në klasën e saj.

“Mësuesja Valbona Metra sepse unë ngrita zërin për tim bir, u fye shumë dhe nuk e donte më tim bir në klasë”.

Në 18 Mars 2022 zhvillohet një mbledhje për këtë problem dhe disa prindër të klasës, të organizuar nga mësuesja bënë një peticion, pas të cili djali i vogël u transferua në një klasë paralele.

“Mbledhja ishte skandaloze që bëhej për të përjashtuar tim bir nga klasa. Me pretendimin se klasa ka 30 nxënës dhe mësuesja nuk ka kohë të angazhohet me këtë nxënësin e ri që ka këto vështirësi. Klasa që ka Valbona Metra është gjithëpërfshirëse, por prindërit ishin të vendosur, të organizuar nga mësuesja Valbona që të bënin peticion që fëmijën ta largonin nga klasa dhe mundësisht nga shkolla”, tha e ëma.

“E ndërruam klasën, në klasën e re, djali ka gjetur një ambient shumë të ngrohtë, mësuesja është e përkushtuar në mësimdhënie, e dashur, e qeshur, e ngrohtë me vlerësime pozitive gjëra që i kishin munguar djalit në klasën tjetër. Ndryshimi është për pesë ditë. Tre muaj kishte në dorë djalin tim dhe nuk bëri asgjë”, shtoi ajo.